Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, e ka quajtur lajm të mirë për punëtorët e arsimit shqip miratimin e shqyrtimit të parë të Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.
Bytyqi ka thënë se objektivi kryesor i këtij Projektligji është njohja e sistemit arsimor të Republikës së Kosovës gjatë viteve të 90-ta.
"Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në bazë të legjislacionit në fuqi, me kohë kishte zhvilluar të gjitha procedurat e parapara për aprovimin e Projektligjit të Statusit të Punëtorëve të Arsimit Shqip të viteve 1990/99", ka thënë Bytyqi.
"Objektivi kryesor i këtij Projektligji është njohja e sistemit arsimor të Republikës së Kosovës gjatë viteve të 90-ta, si dhe përcaktimi i statusit dhe njohja e stazhit të benificuar me përkrahje financiare përmes pensioneve dhe benificioneve të veçanta për kategoritë që ndërtuan sistemin e pavarur të arsimit shqiptar dhe organizuan mësimin në kushte të okupimit klasik prej vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99", është shprehur ai.