Gashi: MKRS ka paraparë shumë investime në sport - Bota Sot
Gashi: MKRS ka paraparë shumë investime në sport

Kosova

E diel, 27 maj 2018

Gashi: MKRS ka paraparë shumë investime në sport

Më: 17 maj 2018 Në ora: 14:23
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar sot një takim me përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar sot një takim me përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, si dhe federatat sportive të cilat zhvillojnë aktivitete sportive në vendin tonë.

Takimi ka për qëllim prezantimin e standardeve dhe procedurave të financimit të organizatave sportive nga ana e MKRS-së.

Sipas një komunikate të MKRS-së, në takim u prezantuan edhe raporti përshkrues i projektit/programit lidhur me zhvillimin e politikave programore në sport, si dhe dokumentet e reja përcjellëse të cilat federatat duhet t’i plotësojnë për mënyrën e re të financimit të tyre.

Me theks, përfaqësuesit e organizatave sportive u udhëzuan se si duhet plotësuar raportet vjetore për blerjet mbi 500 euro.

Ministri Kujtim Gashi, i cili mori pjesë në hapjen e takimit u shpreh se këtë organizim e konsideron si ngjarje të rëndësisë së veçantë për sportin dhe të arriturat sportive në Republikën e Kosovës.

“Të arriturat dhe sukseset që po i arrijnë sportistët tanë dita-ditës, na bëjnë që të ndihemi krenar të gjithëve, andaj edhe vlerësimi dhe shpërblimi për të dalluarit (laureatët) ka kuptim të veçantë”, ka vlerësuar ministri Gashi, i cili ka theksuar se si ministër dhe si MKRS do të angazhohen maksimalisht në mbështetje të sportit në përgjithësi.

“Përkushtimi ynë institucional është dinamizuar kohëve të fundit në shumë drejtime, duke i kushtuar vëmendje të posaçme edhe rregullimit të sferës ligjore e cila do të ndikojë dukshëm në rritjen e cilësisë së sportit. Zbatueshmëria e legjislacionit në fuqi, plotësim-ndryshimi i shumë rregulloreve dhe akteve tjera janë tregues i qartë se ne jemi të përkushtuar në përmirësimin esencial të kësaj fushe të rëndësishme”, tha ministri.

Ministri Gashi ka folur edhe për rritjen e buxhetit në sport dhe investimet kapitale, ku MKRS për vitin 2018 ka paraparë shumë investime.

“Janë dhjetëra miliona investime kapitale të planifikuara për këtë vit vetëm në fushën e sportit, për të cilat jam i bindur se do të ndikojnë dukshëm jo vetëm në përmirësimin e kushteve për sportistët e vendit tonë”, ka thënë për fund ministri, duke u zotuar se mbështetja financiare e institucionale për sportin nuk do të mungojë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test