Diplomon gjenerata e 14 në RIT Kosova - Bota Sot
Diplomon gjenerata e 14 në RIT Kosova

Kosova

E diel, 27 maj 2018

Diplomon gjenerata e 14 në RIT Kosova

Më: 16 maj 2018 Në ora: 16:27
Diplomimi në RIT Kosova

Yllëza Hoti është në mesin e 115 studentëve të gjeneratës 2018 që sot shënuan ceremoninë e diplomimit në RIT Kosova (AUK). Ajo është studentja më e mirë e kësaj gjenerate, e cila ka diplomuar në artet dhe shkencat e aplikuara me përqendrim në menaxhment dhe ekonomi në Rochester Institute of Technology në Nju Jork.

Yllëza kishte pasur fatin që të qëndronte për 10 muaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes një programi për shkëmbim të studentëve.

Gjatë mbajtjes së fjalimit në ceremoninë e diplomimit, Yllëza tregoi se pas përfundimit të një viti shkollor atje, ajo duhej të kthehej në vendlindje, të cilën e sheh si një vend i mundësive për vetëm disa persona të privilegjuar, si një shoqëri e pasluftës duke u munduar ta rindërtojë veten përsëri.

Hoti: Ëndrra ime përsëri u rilind

“Pak e dija që mundësitë e ngjashme me ato që kisha parë në SHBA ofroheshin shumë pranë shtëpisë, në një kampus të vogël universitar në Prishtinë në kohë i njohur si AUK. Megjithëse, kisha dëgjuar më parë për AUK-në, kurrë nuk kam menduar se do të mund ta përballoja koston e një institucioni të tillë prestigjioz. Për fat të mirë, ëndrra ime përsëri u rilind kur mora një bursë të plotë për vitin e parë të studimeve”, tha ajo.

Një fjalim në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së vitit 2018 mbajti edhe gjenerali amerikan në pension Wesley Clark, i cili përmendi edhe luftën e fundit në Kosovë duke u shprehur se kjo ditë dallon shumë nga ajo çfarë ai kishte përjetuar 20 vite më parë. Sipas tij, Kosova me ndihmën e aleatëve të saj arriti që ta rimarrë veten. 

Clark: Për të diplomuarit e sotëm, unë jam i sigurt se ishte një sfidë e madhe

“Për të diplomuarit e sotëm, unë jam i sigurt se ishte një sfidë e madhe, një luftë, një aventurë sepse siç kam dëgjuar ky është një universitet me standarde të larta, nuk është një shkollë feste pra është një institucion serioz. T’iu shoh sot juve këtu për mua është një  me të vërtetë një inspirim. Ky universitet ka lidhje të forta me SHBA përmes planit të tij mësimor, gjuhës, librat për mësim dhe fakultetin dhe është një universitet Kosovar i themeluar nga njeriu i cili menaxhoi fondin e atdheut të Kosovës, i themeluar me paratë e dhuruara nga prindërit dhe gjyshërit tuaj për të ndihmuar njerëzit tuaj që po vuanin nën sundimin shtypës të Sllobodan Millosheviçit. Unë dua t'ju them se sot është një rrugë e gjatë nga përvojat e mia 20 vite më parë. Në ato ditë, unë kam qenë komandant suprem në Evropë. Isha pjesë e forcës amerikane dhe përgjegjës për të gjitha operacionet e NATO-s në Evropà ?”, tha ai.

Po ashtu, Clark tha se duhet të kujtohet se NATO kishte pasur guximin që të veproj, të reagojë dhe të ndihmojë, e sipas tij, prandaj sot Kosova është një shtet i pavarur dhe se tani Kosova është pjesë e perëndimit.

Studentëve të diplomuar me një fjalë rasti iu drejtua edhe presidenti i RIT, David Munson, i cili tha se tashmë ata janë në pozitën e duhur për të dhënë një kontribut domethënës për vendin.

Munson: Jeni në pozitë për të bërë një kontribut domethënës në komunitetin tuaj

“Është vërtetë një kënaqësi që të jem këtu në Prishtinë, Kosova për herë të parë për të dëshmuar vendin, qytetin dhe shoqërinë e mrekullueshme që keni dhe vazhdoni ta ndërtoni. Në një botë ku dituria është gjithnjë diferencuesi mes të suksesshmit dhe të jo suksesshmit, ju tani jeni në pozitën e duhur për të bërë një kontribut domethënës në komunitetin tuaj, kombin tuaj dhe botës më të gjerë”, tha Munson.

Ndërsa, presidentja e RIT Kosova Sharon Hart, u shpreh se ndjehet krenare me rezultatet që studentët kanë treguar gjatë rrugëtimit të tyre. Ndërkohë, ka përgëzuar studentët për siç ka thënë ajo që ia kanë dal të përfundojnë studimet me sukses.

Hart: Ju ia dolët!

“Ju e keni parashikuar prej kohës këtë ditë, disa me padurim, disa me ankth e disa me një përzierje të komplikuar emocionesh. Por, gjithçka që ju ndjeni sot këtu, ju meritoni të mbani një ndjenjë të mprehtë të krenarisë. Ju ia dolët! Me siguri, të gjithë ata që janë mbledhur sot këtu për të festuar me ju, kanë krenari të jashtëzakonshme për ju, si për shumë njerëz në mbarë botën që janë me ne virtualisht nëpërmjet transmetimit tonë të drejtpërdrejtë të ceremonisë së sotme. I dëshiroj mirëseardhje edhe këtyre pjesëmarrësve online. Një grup tjetër që gëzon shumë kënaqësi në ngjarjen e sotme është fakulteti i shquar i R.I.T. në Kosovë. Unë punoj me këta mësues, studiues dhe mentorë të përkushtuar dhe e njoh personalisht kënaqësinë dhe krenarinë e madhe që ata ndiejnë sot për arritjet e juaja”, tha Hart.

Kjo ceremoni e diplomimit ishte e veçantë edhe për presidenten e RIT Kosova, pasi që në mesin e të diplomuarve ishte edhe djali i saj Gavin. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, por ai nuk ka folur për media. Ndryshe, 115 të diplomuarit në RIT Kosova (AUK) janë gjenerata e 14 e këtij institucioni arsimor.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test