Lansohet platforma U-Report për të rinjtë e Kosovës

Kosova

Lansohet platforma U-Report për të rinjtë e Kosovës

Më: 16 maj 2018 Në ora: 13:22
Foto nga vendi i ngjarjes

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka lansuar platformën U-Report për Ballkanin Perëndimor, Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi, që është një iniciativë për promovimin dhe lehtësimin e angazhimit të të rinjve në të gjitha fushat e jetës dhe proceset vendimmarrëse.

Të rinjtë nga Kosova mund të bëhen pjesë e U-Reporter përmes kodit QR në aplikacionin Viber, ku gjatë ditës së sotme është lansuar anketa e parë e cila përqendrohet në kërkesat e të rinjve.

Anketa mban emrin “Angazhimi i rinisë” dhe ka gjithsej pesë pyetje të shkurtra, të cilat u dërgohen të rinjve përmes Viberit dhe për çdo javë të rinjtë do të kenë pyetje të ndryshme.

Drejtoresha rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, Afshan Khan, tha se platforma e lansuar sot është prezente në 42 shtete të ndryshme nëpër botë dhe është pa pagesë, e mbi të gjitha është edhe anonime.

Khan: Kjo platformë është pa pagës, është anonime

“Të rinjtë në Prishtinë, Tiranë dhe në Podgoricë do t’i bashkohen më shumë se 5 milionë abonentëve të platformës E-Report. Do të keni një angazhim online i zhvilluar nga UNICEF, i cili ju ndihmon në reagimin apo filmimin e çështjeve, një mjet që ju përkrah dhe ju mundëson pjesëmarrjen e juaj në përputhje me prioritetet e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe objektivave të Bashkimit Evropian. Kjo platformë është pa pagesë, është anonime, e hapur për të gjithë që ndërlidh të rinjtë në mënyrë që të mësoni të ndani përvojat e juaja me njëri tjetrin dhe t’i celebroni vlerat kulturore”, tha ajo.

Shefi i misionit të UNICEF-it në Kosovë, Barando Co, deklaroi se kjo platformë do të ndihmojë të rinjve që të shtrojnë të gjitha çështjet që i brengosin.

Co: Ju ndihmon juve që t’i sillni të gjitha çështjet që ju brengosin

“Kjo është një platformë që ju ndihmon juve që t’i sjellni të gjitha çështjet që ju brengosin juve dhe faktikisht ndihmoni në influencimin e agjendave politike qoftë në fushën e arsimit, shëndetësisë. Zëri juaj është i rëndësishëm, kështu që është koha mundësia juaj që të shfrytëzoni këtë mundësi”, tha ai.

Mbështetje për fondin U-Report ka dhënë edhe zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Rexhep Hoti, i cili ka thënë se të rinjtë po e lënë Kosovës, prandaj sipas tij institucionet duhet të angazhohen që të krijohen kushte që të rinjtë t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre.

Hoti: Institucionet t’i kthehen me përgjegjësi rinisë

“Kosova pa rininë ka mbetur pa zhurmë, Kosova pa rininë ka mbetur pa aktivitete, Kosova pa rininë ka mbetur shumë e manipuluar politikisht dhe kur njerëzit e rinj manipulohen bëhen të rrezikshëm. Kosova dhe politika në veçmas duhet t’i kthehen me përgjegjësi konkrete rinisë së Republikës së Kosovës. Ajo duhet ta gëzoj lirinë e saj në familje, në institucione, në shtëpi, në rrugë në mundësinë për të pasur dhe për t’i zhvilluar aktivitetet që i ka”, u shpreh ai.

Gjatë lancimit të platformës, disa U-reporterë nga Ukraina përmes lidhjes direkt u kanë bërë thirrje të rinjve nga Kosova që të angazhohen në të gjitha fushat e jetës dhe proceset vendimmarrëse. Po ashtu, ata potencuan se të rinjtë kanë mundësi që ‘ta ndryshojnë vendin e tyre vetëm me një gisht’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat