Mbyllen dy fabrika, dyshohet se rrezikonin shëndetin e qytetarëve

Kosova

Mbyllen dy fabrika, dyshohet se rrezikonin shëndetin e qytetarëve

Më: 15 maj 2018 Në ora: 17:07
Mbyllja e fabrikave

Inspektorët e Komunës së Mitrovicës, të udhëhequr nga drejtori i kësaj Drejtorie, Hysni Ahmeti, në mbështetje edhe të pjesëtarëve të policisë, sot kanë ndërprerë punën në dy fabrika të këtij qyteti, veprimtaria e të cilave është përpunimi i vajrave motorike

Sipas inspektorëve, përveç mungesës së dokumentacionit, këta operatorë gjatë veprimtarisë së tyre prodhojnë helme toksike dhe rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.

Kryeinspektori Hysni Ahmeti, tha se me urdhër të kryetarit të Komunës, por edhe pas peticionit të qytetarëve për ndotje të ambientit, është marr vendim që këto dy fabrika të mbyllen përkohësisht derisa të paisen me dokumentacionin përkatës.

 Sipas tij, gjithçka po bëhet për të mirën e qytetarëve dhe se është e patolerushme më ndotja e ambientit në qytetin e Mitrovicës nga ana e këtyre operatorëve.

Ahmeti: Kjo po bëhet për të mirë të qytetarëve

 “Kemi marr urdhër nga kryetari, por edhe si Drejtori e Inspekcionit, jemi duke bërë inspektimin e dy fabrikave të riciklimit të gomave. Nuk kanë pëlqim nga Drejtoria e Ambientit dhe pas peticionit të qytetarëve për ndotjen e ambientit, kemi marr vendim që t’i mbyllim përkohësisht derisa të pajisen me dokumentacion përkatës nga Ministria e Ambientit dhe Drejtorisë së Ambientit. Jemi duke e bërë për të mirën e qytetarëve të Mitrovicës për arsye se ndotja e ajrit ka qenë në nivel jashtëzakonisht të madh të premtën mbrëma. Na është dashur të intervenojmë me inspektorë për të inspektuar gjendjen momentale çfarë është këtu…Nuk mund të tolerojmë më këto fabrika me ndotë ambientin në komunën tonë”, ka thënë Ahmeti.

 Në anën tjetër, Baki Baliu, njëri nga bashkëpronarët e kësaj fabrike, ka sqaruar se puna në këtë fabrikë aktualisht është vetëm në fazën testuese dhe jo prodhuese.

Ai bëri të ditur se Kompania ‘Sirius Eko-tek’ nga Austria, e cila është e licencuar në tërë botën për matjen e ndotjes, ka bërë verifikimin këtu dhe ka konstatuar se nuk ka mbetje dhe as ndotje të ambientit.

Baliu ka akuzuar individë të caktuar, por nuk ka dashur të përmend emra, se po ndikojnë me qëllim për t’ia ndalur punën.

Baliu: Nuk ka as mbetje as ndotje, këto janë rrena

 “Ne nuk jemi në prodhim, por në testim. Pa u kry testimi komplet ne nuk marrim leje të prodhimit deri t’i plotësojmë të gjitha kushtet. Të gjitha kushtet janë të plotësuara, tash pritet vetëm të vinë nga Ministria e Mjedisit me na dhënë pëlqimin për prodhim. Kështu që mbetje nuk ka, ndotje nuk ka, këto janë rrena dhe propaganda të disa individëve të caktuar, të cilët kanë ndikim pikërisht në këtë grup. Ministria dhe Komuna kanë pajisje, mund të vinë dhe ta bëjnë vlerësimin pa neve…Kompania ‘Sirius Eko-tek nga Austria e cila është e licencuar në tërë botën për matjen e ndotjes, kanë qenë këtu dhe kanë bërë verifikimin. Nuk ka asnjë mbetje, e kemi edhe me shkrim. Në bazë këtyre analizave shtetërore austriake që nuk ka mbetje dhe ndotje…Nëse kanë ndonjë provë këta, ose ndonjë dëshmi që ka ndotje, ne ta sjellin dhe po e zgjidhim problemin”, theksoi Baliu.

Ndryshe, qytetarët e disa lagjeve të jugut dhe veriut të Mitrovicës, si ‘Lagjes së Boshnjakëve’, ‘2 Korriku’ dhe të Shupkovcit, përveç se protestuan disa herë në të kaluarën, ata kanë nënshkruar edhe një peticion për ndërprerjen e punës së këtyre operatorëve, për shkak të ndotjes së ambientit, respektivisht të ajrit nga operatorët.

 Sipas tyre, këta operatorë zakonisht punojnë ditëve të festave, të shtunave e të dielave, si dhe natën vonë kur ka mjegull dhe të reshura, për t’iu ikur syve të inspektorëve të Komunës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat