Nderohen heronjtë e kombit Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani

Kosova

Nderohen heronjtë e kombit Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani

Më: 14 maj 2018 Në ora: 13:27
Nderohen heronjtë e kombit Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani

Dëshmorët dhe heronjtë e kombit kanë vetëm një atdhe, pushka e tyre ku do që ka krisur, lufta e tyre ku do që është bërë, por edhe rënia e tyre është bërë për tërësinë e atdheut tonë.

Kështu u tha në akademinë përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së heronjve Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se çlirimi i Kosovës nuk ndodhi rastësisht dhe as nuk filloi e tëra në vitin ‘98-99, pasi kjo luftë parahistorinë e vet, ku shëmbëlltyrë e gjithë kësaj janë heronjtë Bahriu dhe Agroni.

Thaçi: Liria e Kosovës nuk erdhi rastësisht

“Çdo herë që kujtojmë veprimtarët dhe heronjtë e kombit si Bahriun apo Agronin, ne kemi në mendje të gjithë atë rezistencë të gjatë, të rëndësishme dhe plotë sakrifica që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Liria e Kosovës, çlirimi i saj nuk erdhi rastësisht dhe as nuk filloi gjithçka në vitin 98-99. Ka kjo luftë parahistorinë e vet, ka historinë e vet, ku shëmbëlltyrë e gjithë kësaj është Bahriu, është Agroni dhe të gjithë ata bashkëveprimtarë të lëvizjeve ilegale të para viteve të ’90-ta e tutje”, tha presidenti Thaçi. 

Ai tha se ka qenë një nder i veçantë që Bahri Fazliun e ka njohur qysh në fund të vitit 89, vetëm pak ditë pas rënies heroike të vëllait të tij, Fahriut.

Thaçi: Agroni ishte fjalë pak, i edukuar, por shumë trim

“Ishte nder jetësor imi që pata fatin të njoh dhe të bashkëveproj në një periudhë të shkurt kohore me Bahriun, gjithashtu më herët edhe me Fahriun dhe Afrim Zhitinë. Ata i njoha përmes Kadri Veselit, në njërën nga bazat ilegale në Prishtinë, në fillim të vjeshtës së ’89. Bahriu ishte i ri, energjik, inteligjent dhe shumë i lidhur me Lëvizjen apo më mirë me thënë jetonte me Lëvizjen. Ishte shumë i lidhur dhe i përkushtuar për librin dhe teoritë e luftës çlirimtare. Me Agron Rrahmanin po ashtu u njohëm si student në fillim të viteve të ’90-ta. Ai ishte fjalë pak, i edukuar, por shumë trim”, tha Thaçi. 

Kryetari i Shoqatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, theksoi se populli shqiptar në robëri gjatë periudhave të ndryshme historike asnjëherë nuk e ndali rezistencën kundër pushtuesit, duke luftuar brez pas brezi për lirinë e tij deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.

Gucati: Rënia e tyre është pjesë e këtij ideali, i cili ende nuk është bërë i tërë

“Rënia e tyre është pjesë e këtij ideali, i cili ende nuk është bërë i tërë. Dëshmorët dhe heronjtë e kombit kanë vetëm një atdhe, pushka e tyre ku do që ka krisur, lufta e tyre ku do që është bërë, por edhe rënia e tyre është bërë për tërësinë e atdheut tonë. Ata na mungojnë vetëm fizikisht. Ata janë bërë shenjat e ecjes sonë rrugës së historisë për të krijuar tërësinë e Shqipërisë”, ka thënë Gucati.

Në këtë akademi është shfaqur edhe filmi dokumentar, një rrëfim për dy heronjtë, i punuar nga Kushtrim Sheremeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat