21 mijë euro donacion për Klinikën e Syve nga Çekia

Kosova

21 mijë euro donacion për Klinikën e Syve nga Çekia

Më: 14 maj 2018 Në ora: 13:10
Florim Zejnullahu

Në Klinikën e Syve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) sot është bërë dorëzim-pranimi i donacionit me aparatura oftalmologjike në vlerë 21 mijë euro nga “People in Need”, mundësuar nga agjensioni çek për zhvillim .

Florim Zejnullahu, drejtor i Klinikës së Syve në QKUK, tha se donacioni ka vlerë të madhe për  këtë klinikë, ngase janë paisje dhe aparatura që nevojiten shumë.

Zejnullahu: Aparatura që kanë rëndësi të veçantë për Klinikën e Syve

“Sot kemi bërë pranimin e një donacioni nga organizata “People in Need” nga Çekia, organizatë për njerëzit në nevojë, disa aparatura që kanë rëndësi të veçantë për Klinikën e Syve dhe me të cilat kemi pasur disa mungesa, besoj që këto do të hynë në punë në rutinën e përditshme në Klinikën e Syve dhe kanë një vlerë jashtëzakonisht të madhe për ne si klinikë”, tha ai.

Zejnullahu ka treguar se nisma për këtë projekt ka qenë e mëhershme, mirëpo tani është arritur realizimi i donacionit.

Ramadan Berisha, udhëheqës i zyrës “People in Need për Kosovë”, theksoi se ky donacion është dhuratë nga populli çek.

Berisha: Këto pajisje janë dhuratë e popullit të Çekisë

“Këto pajisje janë dhuratë e popullit të Çekisë, dhe shpresojmë që do t’i gjenden në ndihmë pranë të gjithë pacientëve të Republikës së Kosovës. Klinika e Syve, ose drejtori i Klinikës së Syve ka qenë ai i cili ka qenë prej fillimit i angazhuar që të sigurohet ky donacion, për shkak të nevojave të mëdha që janë identifikuar gjatë punës së tij që është bërë me të gjithë pacientët e të gjitha moshave. Ky donacion vjen si pjesë e projektit të agjencisë çeke për zhvillim, i cili projekt ka përkrahur situata të ndryshme”, u shpreh Berisha.

Ai ka treguar se ky donacion realizohet në kuadër të projektit “Integrimi i personave me dëmtime në shikim”.

Sipas tij,  kjo aparaturë do të mundësojë dhe lehtësojë trajtimin e personave që kanë probleme me shikim, e që ka qenë edhe synimi kryesor i donacionit që është realizuar përmes Agjencisë Çeke, e cila është e pranishme nga viti 2010 në Kosovë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat