Haradinaj: Masakra e Qyshkut, dëshmi për drejtësinë vendore e ndërkombëtare

Kosova

Haradinaj: Masakra e Qyshkut, dëshmi për drejtësinë vendore e ndërkombëtare

Më: 14 maj 2018 Në ora: 11:44
Qyshk të Pejës

“Masakra e Qyshkut është njëra prej ngjarjeve dhe dhimbjeve më të mëdha të kohës së luftës, pra një masakër e plotë civilëve të pafajshëm, të pambrojtur. E vërteta është që kemi plot vende ku pushojnë qindra qytetarë të pafajshëm, të pambrojtur, pra të asaj kohe, të paarmatosur”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Këto komente Haradinaj i ka bërë pas homazheve te lapidari i të rënëve në Qyshk, në shënimin e përvjetorit të Masakrës së mbi 100 civilëve, banorëve të fshatrave Qyshk, Zahaq, Llabjan e Pavlan.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se masakra e Qyshkut, dëshmon për rrugën e vështirë deri në liri, njëkohësisht për dhimbjen e madhe.

“Por është edhe një porosi për drejtësinë si vendore, si ndërkombëtare që të vendoset drejtësia, pra të dënohen kryesit e këtyre krimeve ndër më të mëdha që kanë ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë”, theksoi kryeministri.

Kryeministri Haradinaj ka vazhduar me homazhe në fshatin Pavlan, Zahaq e Llabjan të Komunës së Pejës. Në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan e Pavlan nga forcat serbe janë vrarë dhe masakruar rreth 100 civilë, në mesin e të cilëve kishte edhe banorë të zhvendosur nga fshatrat Vranoc, Raushiq, Batushë, Graboc e Zllapek, që strehoheshin në këto fshatra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat