Dëshmitari thotë se ekspertizën e pasaktë e nënshkroi me kërkesë të prokurorit

Kosova

Dëshmitari thotë se ekspertizën e pasaktë e nënshkroi me kërkesë të prokurorit

Më: 12 maj 2018 Në ora: 22:00
Gjykimi për krim të organizuar

Në gjykatën Themelore në Mitrovicës vazhdoi gjykimi kundër të akuzuarve për krim të organizuar.

Ky gjykim është njëri nga rastet e shenjëstruara për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në seancë vazhduan të japin dëshminë e tyre ekspertët Xhevdet Krasniqi dhe Shaban Baftiri.

Pas pyetjes së anëtarit të trupit gjykues Avni Mehmeti së kush i kishte bërë transaksionet në NTP “ Gold Benz “, eksperti tregoi se pronar i kësaj firme kishte qenë Abdullah Zymberi dhe se ai i kishte bërë transaksionet.

Por eksperti shtoi se transaksionet i kanë bërë edhe Agron dhe Jeton Zymberi, djemtë e Abdullah Zymberit.

Po ashtu eksperti tregoi se duke u bazuar në shkresat e lëndës dhe në raportin e ATK –së ishte konstatuar se i pandehuri Agron Zymberi kishte kontrabanduar mall sipas vlerave të prezantuara në ekspertizë, duke shtuar se ekspertët nuk kishin bërë hetime, por se ishin mbështetur në shkresat e lëndës.

Trupi gjykues kërkoi nga hartuesit e ekspertizës të tregojnë pse në një pjesë të saj thuhet se pronar i “Gold Benz” ishte Avdullah Zymberi, ndërsa në një pjesë tjetër se pronar i kësaj kompanie është Agron Zymberi.

Lidhur më këtë eksperti Shaban Baftiri deklaroi në gjykatë se ai e kishte nënshkruar ekspertizën e datës 29 nëntor 2016 me kërkesën e prokurorit.

Kjo sipas tij kishte ndodhur edhe pse i kishte thënë prokurorit se konstatimet në ekspertizë nuk janë në përputhje me gjendjen faktike.

“Unë them se përkundër se e kam nënshkruar, gjetjet në atë ekspertizë nuk janë tërësisht të përputhshme më konkluzionet e mia si ekspert. Prokurori neve na ka thënë që ta nënshkruajmë ekspertizën, sepse kalon afati dhe mua më ka thirrur prokurori tri herë në konsultim “, u shpreh eksperti Baftiri.

Kurse eksperti Xhevdet Krasniqi nuk u pajtua me atë se çfarë deklaroi kolegu i tij, duke shtuar se ekspertiza mund të kishte të meta se ata të dy kishin punuar në këtë ekspertizë dhe se nuk qëndronte fakti se prokurori kishte kërkuar nga ata që të nënshkruajnë ekspertizën.

“Ajo çka prokurori ka kërkuar nga ne ka qenë përshpejtim i përpilimit të procesit të ekspertizës, unë kam edhe emailin që ia kam dërguar kolegut Shaban, tekstin e ekspertizën ku i kam kërkuar edhe vërejtjet eventuale“, tha Krasniqi.

Prokurori Faik Halili që në seancë e zëvendësoi prokurorin e rastit Abdurrahim Islami, tha se ky deklarim i ekspertit Baftiri tregon kryerjen e veprës penale legalizim i përmbajtjes së pavërtetë dhe se duhen bëre hetime lidhur me këtë.

Prokurori Halili, më pas shtoi se mbetet pas shqyrtimit të kësaj ekspertize, ngase sipas tij, e njëjta është punuar nga eksperti tjetër financiar, Xhendet Krasniqi duke e cilësuar atë si ekspertizë profesionale.

Kurse eksperti Bahtiri tha se ai nuk kishte bërë ekspertizë, po analizë financiare sipas kërkesës së prokurorisë.

Pas këtij diskutimi trupi gjykues në krye me Beqir Halilin vendosi që seanca të vazhdojë me marrjen në pyetje të ekspertëve nga ana e mbrojtësve të të pandehurve.

Pas pyetjes së avokatit Nexhat Beqiri, se ku ishte bazuar konstatimi lidhur më të mbrojturin e tij Ismet Zeqiri, se i njëjti ka obligime tatimore në vlerën 544.27 euro, ndërsa shmangie nga obligimet doganore në vlerë prej 74.300 eurove, eksperti Xhevdet Krasniqi tregoi se kjo ekspertizë financiare sipas tij, është përpiluar në bazë të të dhënave të raporteve të ATK-së dhe Doganave të Kosovës.

Duke iu referuar ekspertizës, lidhur me të pandehurin Xhevdet Spahia dhe kompaninë “Spahia Petrol“, eksperti Xhevdet Krasniqi tha se duke u bazuar në raportet e ATK –së u është shmangur obligimeve tatimore në shumën prej 406,899.66 eurove.

Krasniqi gjithashtu tregoi në gjykatë së ia kishte dorëzuar një formular prokurorit në të cilin tregohej se Xhevdet Spahia i kishte përmbushur të gjitha detyrimet lidhur me shmangien tatimore dhe se kishin mbetur vetëm 1.000 euro.

Ai tha se këtë formular e kishte pranuar pasi që i është drejtuar ATK- së dhe drejtorit të saj, të cilët ia kishin kthyer përgjigjen e lartcekur tre ditë me vonë.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin së bashku me të pandehurit Milan Radisavleviq dhe Aleksander Rakiçeviq se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Sipas Prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara, si derivate të naftës, vajra motorike etj.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor-dhjetor 2014, të njëjtit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit të tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale: Kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu, gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

BIRN/Internews Kosova publikuan raportin rreth gjendjes aktuale të 39 rasteve gjyqësore që janë vënë kusht për liberalizimin e vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat