Vendimet ad-hoc nëpër komuna po krijojnë pa siguri për bizneset

Kosova

Vendimet ad-hoc nëpër komuna po krijojnë pa siguri për bizneset

Më: 11 maj 2018 Në ora: 13:40
Prezantimi i studimit ‘Indeksi i Konkurrueshmërisë së Komunave’ (MCI).

Vendimet ad-hoc në nivel të administratave komunale krijon pasiguri për bizneset dhe kjo po konsiderohet prej bizneseve me tkurrje të investimeve të tyre.

Kështu ka thënë Alban Hashani, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest me rastin e prezantimit të studimit ‘Indeksi i Konkurrueshmërisë së Komunave’ (MCI).

Dhjetë komunat me performancë më të mirë në bazë të këtij indeksi janë: Lipjani, Rahoveci, Vitia, Juniku, Hani i Elezit, Gjakova, Podujeva, Obiliqi, Prishtina dhe Suhareka.

Hashani ka thënë se komunat e Kosovës kanë shënuar përparime për mjedis të favorshëm të bizneseve, mirëpo ende mbetet mjaft punë për të bërë nga 38 komuna për një mjedis më të favorshëm dhe më transparent.

Sipas tij, qëllimi i studimit të Indeksit të Konkurrueshëmrisë së Komunave të Kosovës është matja e konkurrueshmërisë së qeverisjes komunale në krijimin e një mjedisi të favorshëm afarist në nivel lokal. 

Hashani: Ende mbetet punë e rëndësishme për të përmirësuar mjedisin afarist në nivel komunal

“Rezultatet tregojnë, se në dimensionet e ndryshme të mjedisit afarist janë bërë përparime dhe rezultatet janë evidente. Megjithatë, ende mbetet punë e rëndësishme për të bërë dhe përmirësuar më tej mjedisin afarist në nivel komunal. Komunat që janë ranguar në krye të tabelës janë të madhësive të ndryshme, megjithatë në nivel të indeksit të përgjithësuar ne kemi evidentuar se rangimi më I madh është me notën 7 nga 10 sa është maksimumi, që do të thotë se ka ende punë për të bërë, fjala bie përderisa komunat ende nuk e konsiderojnë problem të madh hapjen e biznesit… Ato mbesin tejet të shqetësuara për nivelin  transparencës, efikasitetin në administratë komunale,  për pjesëmarrje dhe parashikueshmëri. Pra, bizneset konsiderojnë se komunat kanë hapësirë për të përmirësuar efikasitetin në administratë dhe për të ngritur transparencën”, theks oi Hashani. 

James Hope, drejtor i misionit të USAID për Kosovë tha se Indeksi në fund të fundit, nuk ka të bëjë me rangimet e sotme, por sipas tij, vlera më e madhe e saj është se si komunat do t’i përdorin këto të dhëna më rëndësi për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të mbështetur bizneset.

Hope: Komunat kanë rol thelbësor për ndërtimin e një mjedisi të përshtatshëm për biznesin

“Me të vërtet ju(komunat) keni rolin më thelbësor në ndërtimin e një mjedisi në komunat tuaja që është i përshtatshëm për biznesin, megjithëse do t’i mundësojë Kosovë të krijojë vende të punës, të promovojë prodhimin dhe zhvillimin ekonomik në fund të fundit. Rrugës duke ardhur këtu me ra ndërmend se në dhjetor të vitit të kaluar filluam pjesën e hulumtimeve, dhe e bëmë këtë si një përgjigje drejtpërdrejt nga kërkesat që vijnë nga komunat që ishin të interesuara që të mësojnë se cilat politika po kanë suksese dhe në cilat jo në komunat e tyre. Të kuptojnë se a jan të kënaqur qytetarët apo jo me këtë shërbime komunale. Dhe që është edhe më me rëndësi të mësojnë se sit ë bëjnë punë më të mirë në konkurrueshmëri në nivelin lokal”, ka thënë Hope.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti tha se ky dokument është një udhërrëfyes për komunat se duhet të bëjnë gjithnjë edhe më shumë për ambientin e biznesit dhe për transparencën nëpër komuna.

Ahmeti: Indeksi është udhërrëfyes për krijimin e një ambienti ende më të favorshëm për bizneset

 “Indeksi i Konkurrueshmërisë është edhe vlerësim, por është edhe një dokument i mirë që do të na shërben për të gjeturat që janë, praktikisht t’i marrim si diçka si udhërrëfyes që do të mund të kenë impakt pastaj drejtpërdrejt në krijimin e një ambienti Akoma më të favorshëm nga kjo gjendje që sot e kemi”, ka thënë Ahmeti.

Muhedin Nushi nga komuna e Prishtinës, edhe pse tha raporti i USAID-it është mjaft domethënës, kërkoi të di çfarë metodologjie kanë përdorur për këtë Indeks.  

Nushi: Një indeks të cilin e përmendte ju, kosto kohore nuk nënkupton se e ka peshën e njëjtë në Prizren ose në Novobërdë

 “Ju përgëzoj për këtë raport, edhe USAID-in për një raport mjaft domethënës për të gjitha komunat. Pyetja ime do të drejtohet rreth metodologjisë së përdorur për peshimin e këtyre grupeve ose nën indekseve, sepse jo çdo nën indeks e ka peshën e njëjtë për të gjitha komunat, prandaj, p.sh., një indeks të cilin e përmendte ju, kosto kohore nuk nënkupton se e ka peshën e njëjtë si në Prizren ose sikur në Novobërdë. Prandaj, më intereson metodologjia”, theksoi Nushi.

Në fund, për dhjetë komunat me performancë të mirë janë ndarë certifikata nga USAID-i dhe Riinvest.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat