Çaji i “rusit” po i bënë shtetasit e Kosovës për spital

Kosova

Çaji i “rusit” po i bënë shtetasit e Kosovës për spital

Më: 3 maj 2018 Në ora: 14:33
Ilustrim

Numri më i madh i pacientëve që kërkojnë trajtim në Kirurgjinë Plastike në QKUK, janë ata me djegie të ndryshme. E djegiet më të mëdha vijnë nga pakujdesia me ibrikët e çajit të zi, ndryshe i njohur si çaji i ‘rusit’

Klinika e Kirurgjisë Plastike në QKUK është e vetmja qendër referente për pacientët kosovarë që kërkojnë ndihmë për trajtimin e djegieve. Në këtë klinikë poashtu trajtohen edhe patologjitë e shuplakës së dorës, lëndime të ndryshme si dhe sëmundje kongjenitale tek fëmijët.

Në këtë klinikë bëhet trajtimi i tumoreve beninje dhe malinje në secilën pjesë të trupit. Një projekt që ka filluar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike është edhe rekonstruktimi i gjirit pas heqjes tek gratë të cilat kanë karcinoma dhe bëjnë amputimin e gjirit. Deri më tani janë kryer dy intervenime të tilla.

Në këtë klinikë ka vetëm një sallë operative çka bënë që pacientët të presin deri në një muaj në mungesë të hapësirave për trajtim. Brenda ditës kryhen 4 deri 5 operacione. Gjatë muajit prill janë kryer 145 operacione, ndërsa në ambulanten specialistike janë kryer 680 shërbime.

Mjekja Violeta Zatriqi thotë se në këtë klinikë ka kapacitete të mjaftueshme mjekësore për trajtimin e të gjitha patologjive, por megjithatë ka mungesë të kushteve dhe hapësirave për të kryer shërbimet.

Zatriqi thekson mungesën e një qendre të djegies për të cilën thotë se gjendet pothuajse në çdo shtet. Ajo shton se në këtë qendër do të trajtoheshin ekskluzivisht vetëm pacientët me djegie të cilët do të kishin dhoma të veçanta me mundësi për pastrim dhe laborator dhe një qendër gjysëmintensive. Për momentin gjysma e klinikës është e improvizuar për këtë shërbim.

“Është shumë në interes të madh sepse një avari apo incident në termocentrale apo dikund tjetër, mund të vijë deri te djegia e një numri të madh të pacientëve dhe ku do t’i trajtojmë ata”, deklaron Zatriqi.

Ajo thotë se pacientët me djegie mbi 40 për qind duhet të trajtohen jashtë vendit dhe për këtë është kosto e lartë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Numri më i madh i pacientëve që kërkojnë ndihmë në këtë klinikë, janë pikërisht nga djegiet. Ato ndodhin zakonisht nga uji i nxehtë, kur fëmijët prekin ose bien në kazanë me ujë të vluar e poashtu një numër i madh i pacientëve digjen edhe nga ibrikët e çajit.

“Konsumimi i madh i çajit dhe nga pakujdesia, kemi shumë raste që vijnë me djegie nga ibrikët. Poashtu kemi numër të madh të pacientëve që janë punëtor të KEK-ut të cilët digjen nga rryma dhe në shumë raste kemi edhe amputime sepse janë djegie të thella”, deklaron doktoresha.

Për momentin në këtë klinikë ka filluar edhe shërbimi i mikrokirurgjisë me një ekip prej 4 kirurgëve të cilët janë trajnuar në Irlandë dhe Suedi. Këta kirurgë bëjnë riimplantimin e gishtit të këputur në aksidente. Ky shërbim për momentin kryhet me anë të metodave me llupa, ndërsa Zatriqi thotë se SHSKUK iu ka premtuar se do t’i pajisin me mikroskop.

Edhe në këtë klinikë, sikurse në të tjerat ka mungesë të madhe të barnave dhe materialeve shpenzuese. Ndonëse kërkesat janë të vazhdueshme, aty mungojnë medikamentet që nevojiten më së shumti si gazrat apo betadina për pastrimin e lëndimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat