Do të ketë më shumë lloje të analizave laboratorike për ushqimet

Kosova

Do të ketë më shumë lloje të analizave laboratorike për ushqimet

Më: 2 maj 2018 Në ora: 15:57
Projekti i binjakëzimit ‘Mbështetje për Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës’

Kosova tash e tutje në mënyrë të pavarur do të kryejë më shumë analiza laboratorike të produkteve ushqimore, të cilat kanë qenë shumë të nevojshme.

Kështu u tha se konferencën përmbyllëse të projektit të binjakëzimit ‘Mbështetje për Laboratorin e  Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës’, projekt i financuar nga BE, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga AUV si vend përfitues dhe Zyra Shtetërore për Siguri Ushqimore dhe Mbrojtje të Konsumatorit nga Saksonia e Ulët Gjermani, LAVES.

Projekti ka zgjatur dy vjet duke zhvilluar kapacitetet humane dhe përdorimin e pajisjeve të reja në zhvillim të metodave të reja të analizave në produkte të ndryshme ushqimore.    

Kryeshefi ekzekutiv i AUV-it, Valdet Gjinovci, falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontribut që ky projekt të arrijë rezultatet të mira, të cilat do ta avancojnë punën në laborator.

“Ky projekt e ka ndihmuar laboratorin të jetë i aftë të testojë mostra në shumë parametra, të cilat mostra me herët na është dashur t’i dërgojmë jashtë vendit. Ne po ulim kostot shtetërore të kryerjes së analizave në të njëjtën kohë po ndihmojmë bizneset në shkurtim të afateve kohore për nxjerrje të rezultateve. Njohurinë që kanë sjellë ekspertet nga shteti gjerman, sot stafi ynë është i gatshëm ta ekzekutoj vetë’, u shpreh ai.

Libor Chlad,  zëvendës shef i sektorit për bashkëpunim, Zyra e BE-së në Kosovë, u shpreh i kënaqur me rezultatet që ka arritur ky projekt, duke thënë se tani laboratori i Kosovës në mënyrë të pavarur do të  kryejë më shumë analiza laboratorike të produkteve ushqimore të cilat kanë qenë shumë të nevojshme.

“Konsumatorët do të ndihen më të sigurt kur e dinë se do të ketë më shumë analiza të produkteve ushqimore”, tha ai.  

Ndërsa, Eberhard Haunhorst, president i Zyrës Shtetërore të Saksonisë së Ulët për Siguri Ushqimore dhe Mbrojtje të Konsumatorit, tha se rezultatet e këtij projekti kanë qenë mbresëlënëse, duke marrë parasysh se është krijuar një frymë e re e punës në laborator, e cila është më afër kritereve dhe standardeve të BE-së.

“Tani mund të kryen teste dhe analiza të ndryshme në mënyrë të pavarur nga vet stafi, ky edhe ka qen synim i projektit”, tha ai.

Projekti ka arritur të implementojë metoda të ndryshme për ekzaminim të mbi 300 substancave. Analizimi i mostrave është pjesë e kontrolleve zyrtare të produkteve ushqimore. Tani është ndërtuar një sistem për validimin e metodave ‘’screening’’- të shpejta ku në rast të rezultateve pozitive apo të dyshuara ato konfirmohen me metoda konfirmative.

Ndryshe, ky projekt ka arritur që për herë të parë të zhvillojë metodat konfirmative  në disa lloje të analizave laboratorike.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat