Kurti në Sarajevë: Absurde që Kosova i vendos regjim vizash Bosnjës, e jo Serbisë

Kosova

Kurti në Sarajevë: Absurde që Kosova i vendos regjim vizash Bosnjës, e jo Serbisë

Nga: A.ZH Më: 25 prill 2018 Në ora: 13:23
Albin Kurti në Sarajevë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti po qëndron për një vizitë zyrtare në Sarajevë.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka treguar për aktivitetet e tij atje me bashkëathdetarët shqiptarë.

Kurti ka thënë se është absurde që Kosova i vendos masat e reciprocitetit B&H duke vënë regjim vizash për Bosnjën, e nuk e bën këtë karshi Serbisë.

Për më tepër, sipas tij, nga rreth 50 biznese të B&H që operojnë në Kosovë, mbi 90% janë nga Republika Serbe.

Postimi i tij i plotë:

Gjatë qëndrimit në Sarajevë, vizitova Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë që është partner me Universitetin e Buckingham-it. Aty prezantova orientimin dhe qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s për zhvillimet politike dhe gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, për bashkëpunimin e shqiptarëve dhe boshnjakëve etj. Pasoi diskutimi interesant me profesorë të shquar të shkencave politike dhe historisë. Në fund takova edhe rektorin dhe themeluesin e këtij universiteti, z.Ejup Ganiq, ish nënkryetarin e kryesisë së Bosnje dhe Hercegovinës dhe dorën e djathtë të kryetarit të parë, z.Alija Izetbegoviq.

Në vijim, vizitova Konsullatën e Nderit të Shqipërisë si dhe shoqatën e bashkatdhetarëve tanë, ku u prita nga konsulli i nderit z.Muharrem Zejnullahu dhe rreth 30 qytetarë tanë që jetojnë dhe punojnë në Bosnje dhe Hercegovinë (B&H), kryesisht në Sarajevë.

Pritja e ngrohtë dhe shkëmbimi i pikëpamjeve për një sërë çështjesh shqetësuese atje por edhe në Kosovë ishin fokus i bashkëbisedimit me bashkatdhetarët.

Ishte konstatim i përbashkët për domosdoshmërinë që sa më parë qytetarët e Kosovës dhe të B&H të lëvizin lirshëm dhe pa ngarkesat e paarsyeshme - shpeshherë edhe të patejkalueshme - që ekzistojnë aktualisht. U njoftova në hollësi për pengesat e mëdha në tërë këtë proces mjaft të ndjeshëm për qytetarët tanë atje.

Është absurde që Kosova i vendos masat e reciprocitetit B&H duke vënë regjim vizash për Bosnjën (gjë që godet vetëm boshnjakët e shqiptarët me pasaportë të B&H dhe jo serbët e B&H), e nuk e bën këtë karshi Serbisë. Për më tepër, nga rreth 50 biznese të B&H që operojnë në Kosovë, mbi 90% janë nga Republika Serbe.

Bashkatdhetarët tanë janë një pasuri shumë e çmueshme për të dy vendet tona. Ne kemi dëshmorë tanë në B&H gjë që tregon se shqiptarët e mbrojnë vendin dhe lirinë kudo që jetojnë. Institucionet përgjegjëse në Kosovë e Shqipëri duhet të rrisin përkrahjen për bashkatdhetarët tanë.

U bisedua edhe për iniciativën rreth binjakëzimit të mundshëm të qyteteve të Kosovës dhe B&H drejt shkëmbimit sa më të madh kulturor e shoqëror në mes dy vendeve.

Me bashkëkombësit tanë në Sarajevë, vizitova edhe Bash Çarshinë e famshme të Sarajevës duke vizituar disa monumente historike si dhe biznese e zeje tradicionale të njohura.

Një takim të afërt zhvillova edhe me themeluesit e grupimit mjekësor “Familja dhe Shëndeti”, Dr.Ismail Lutolli dhe Dr.Shpresa Ramadani, grupim i cili përfshin mbi 120 mjekë specialistë nga të gjitha trojet shqiptare./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat