RrGK e shqetësuar me vendimin e presidentit për njërin nga rastet e falura

Kosova

RrGK e shqetësuar me vendimin e presidentit për njërin nga rastet e falura

Më: 24 prill 2018 Në ora: 17:11
RrGK

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësimin me vendimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për të falur një të njohur të tij, respektivisht, dhëndrin e axhës së tij, i cili në vitin 2008 kishte kryer dy vrasje dhe konsideron se falja e ushtruar si e drejtë e shefit të shtetit nuk ka respektuar institucionin e faljes si institucion i përkufizuar sipas ligjit.

Duke përkujtuar se Ligji për Falje i Kosovës thotë se “rrethanat që mund të shqyrtohen gjatë dhënies së faljes përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në peshën e krimit, Rrjeti i Grave të Kosovës ngrit shqetësimin në lidhje me atë se cilat kritere janë marrë për bazë në rast të faljes nga mbajtja e dënimit të burgut të këtij personi.

“Fakti që presidenti dhe i faluri, kanë lidhje familjare, po ashtu paraqet një shqetësim për RrGK-në, pasi që ky mund të jetë një mesazh dekurajues për të burgosurit dhe të burgosurat, por edhe për të gjithë shoqërinë”, thuhet në reagim.

RrGK e konsideron pozitiv faktin që qytetarëve dhe qytetarëve që kanë kryer vepra penale, t’u jepet mundësia e faljes nga mbajtja e dënimit të burgut ashtu siç parasheh Ligji për Faljen, por edhe në këto raste, duhet të jenë të vëmendshëm se cilat raste po falen, dhe çfarë mesazhi i dërgohet shoqërisë me këto falje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat