Bajrami: Platforma e Veselit synon unifikimin e spektrit politik

Kosova

Bajrami: Platforma e Veselit synon unifikimin e spektrit politik

Më: 23 prill 2018 Në ora: 17:33
Nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami

Nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami, ka sqaruar platformën që Kadri Veseli ua ka dërguar liderëve politikë për konsensus mes partive politike për pesë çështje të interesit shtetëror.

Vetë hartuesi i kësaj ideje, Bajrami, ka thënë se me këtë platformë synohet të unifikohet spektri politik shqiptar rreth dialogut me Serbinë, formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, themelimit të ushtrisë, agjendën evropiane dhe reformën zgjedhore.     

Bajrami në një intervistë për KosovaPress, e ka quajtur moment të rëndësishëm që në këto momente në të cilat po kalon Kosova, të ketë një unitet politik shqiptar.

Bajrami: Konsensusi, i domosdoshëm për agjendën shtetërore

“Pas miratimit të strategjisë së BE-së për integrim, raportit të progresit dhe faktit se dialogu mes Kosovë e Serbisë po hyn në fazën finale është i domosdoshëm një konsensus për agjendën shtetërore, në mënyrë që Kosova ta zë hapin me agjendën shtetformuese dhe këtë vit të rrumbullakojë disa procese jashtëzakonisht të rëndësishme siç është dialogu me Serbinë, pra momenti final i përfundimit të këtij dialogu. Nuk po flasim tash për vite, por për momente finale, për muaj vendimtar që ky dialog të përmbyllet në favor të Kosovës, me përfundimin e konfliktit me Serbinë dhe me fillimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe BE. Pra, na duhet një konsensus për këtë dialog. Pastaj, rreth themelimit të AKS-së, në mënyrë që të jetë një proces krejtësisht i kontrolluar nga partitë politike shqiptare dhe të përfundojë  krejtësisht me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës. Çështja e tretë, konsensusi për themelimin e ushtrisë së Kosovës, pastaj agjenda evropiane dhe reforma zgjedhore”, tha Bajrami.

Nënkryetari Bajrami theksoi se ky është një akt lidershipi i kryetarit Veseli, një ofrim dore për opozitën që në vend të shkuarjes së shpejti në zgjedhje të papërgatitura, të shkojnë me përmbylljen e këtyre pesë çështjeve, me një pjesëmarrje të opozitës, pastaj është krejtësisht e deplasuar çështja se kur do të mbahen zgjedhjet.

Por, sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve pa i kryer detyrat e shtëpisë, pa i rrumbullakuar agjendat shtetformuese, do të jetë një moment jo pragmatik.  Bajrami beson edhe në rolin pragmatik të opozitës, për të qenë pjesë e kësaj platforme dhe përfundimit të këtyre çështjeve të agjendës shtetformuese.

Bajrami: Besoj në reflektimin e opozitës

“Unë mendoj se opozita do të reflektojë pozitivisht për faktin se bëhet fjalë për agjendë shtetërore, nuk bëhet fjalë për agjendë partiake, apo agjendë e qeverisë. Është e obligueshme pjesëmarrja e opozitës në këto procese dhe unë jam i sigurt se opozita do të reflektojë pozitivisht. LDK tani ka hedhur një ide të ngjashme dhe kjo ide korrespondon me ambiciet e LDK-së për një tryezë të partive politike. Edhe VV, besoj, është jashtëzakonisht e interesuar që të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë në këtë agjendë shtetërore dhe për momentin mendoj që në vend të debateve për zgjedhje të shpejta, të papërgatitura në këtë moment Kosovës nuk i konvenon, sepse jemi në një fazë kritike ku ky vit do të jetë përcaktues. Besoj se kjo ide e Veselit do të kuptohet drejt, nuk ka asnjë qëllim përfitimi politik”, theksoi ai.

Pavarësisht se kanë qenë shumë kritikë ndaj mënyrës së dialogut dhe themelimit të AKS-së, Bajrami beson se edhe Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë. Madje, thotë se për këto dy procese kritike ka qenë edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Derisa, e quan pak të vonuar këtë platformë, por sipas tij, viti 2018 është përcaktues për shumë procese.

Bajrami: Platforma pak e vonuar, por viti 2018 përcaktues për shumë procese

“Ndoshta është pak e vonuar, por është mu në momentin kur ka ardhur raporti i progresit, mu në momentin kur BE po jep shenja për liberalizim të vizave, por po përcakton edhe detyra dhe që Kosova nuk mund të ecë ngadalë në këtë proces. Duke qenë përgjegjës për koalicionin qeverisës, Veseli ka reflektuar duke mos u pajtuar me “status quon”, ka reflektuar edhe karshi konfiguracionit politik që është krijuar në Kuvend që të fillojë arritja e këtij konsensusi për këto çështje që Kosova mos të ngecë mbrapa dhe Kosova nuk ka kohë për të humbur, sepse gjeopolitika po ndërron në rajon dhe ne nuk guxojmë të vonohemi për ta zërë hapin dhe kohën e humbur me kriza që kemi kaluar për shkak edhe të përplasjeve të brendshme politike”, u shpreh ai.

Bajrami beson se tri prej pesë çështjeve të cekura në platformë, mund të kryhet brenda këtij viti, nëse spektri politik bashkohen rreth kësaj platforme.

Bajrami: Këtë vit mund të përfundojnë tri nga pesë çështjet e kësaj platforme

“E para, të përfundojë themelimi i asociacionit, ku kërkohet vërtet një përgjegjësi maksimale, unë e quaj ndër çështjet më të ndërlikuara dhe më sfiduese se sa demarkacioni, sepse duhet të jemi shumë të vendosur që të mos bëjmë asnjë kompromis përtej atyre që janë bërë me rastin e shpalljes së pavarësisë. Pastaj, është e mundshme që me një konsensus të themelohet edhe ushtria e Kosovës. Këtë vit është e mundur të kemi përparme te reforma, te ligjet ERA që janë ligje të integrimit evropian dhe të fillojë procesi përmes Kuvendit ose presidentit të reformës zgjedhore, përmes dy proceseve, rishikimit të ligjit për zgjedhjet parlamentare dhe bërja e amendamenteve kushtetuese që presidenti i ardhshëm të zgjidhet nga populli”, ka thënë Bajrami.

Nënkryetari i PDK-së konsideron, se nëse partitë politike parlamentare arrijnë konsensus për këto çështje, atëherë është shumë më lehtë të bëhet presioni te Lista Serbe që të mundësojë ndryshimet kushtetuese tek formimi i ushtrisë, meqë vetëm aty nevojitet pajtimi i tyre.

Sipas Bajramit, unifikimi i liderëve politikë rreth kësaj platforme për çështje shtetërore do të kthente seriozitetin dhe do të kthente besimin ndaj tyre edhe te qytetarët që me të drejtë nganjëherë janë zhgënjyer në lidership. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat