Beteja me Serbinë për njohje të reja dhe anëtarësimi në OKB, sfidat kryesore të MPJ-së

Kosova

Beteja me Serbinë për njohje të reja dhe anëtarësimi në OKB, sfidat kryesore të MPJ-së

Më: 23 prill 2018 Në ora: 14:20
Në tryezën e organizuar nga PIPS-i me temën “Politika e Jashtme Kosovare: Prioritetet dhe Sfidat”

Beteja me Serbinë në arenën ndërkombëtare rreth njohjeve dhe integrimit në organizata ndërkombëtare, sipas ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është sfida kryesore e diplomacisë kosovare.

Sipas kryediplomatit kosovar, shteti i Kosovës, po përballet me një agresivitet të paparë nga Serbia, për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Në tryezën e organizuar nga PIPS-i me temën “Politika e Jashtme Kosovare: Prioritetet dhe Sfidat”, kreu i diplomacisë kosovare, theksoi se duhet të punojnë dhe lobojnë fort që të punojnë me shtetet qe e kanë njohur Kosovën që t’i forcojnë marrëdhëniet, derisa me shtet që ende s’e kanë njohur Kosovën, t’ua shpjegojnë realitetin e ri të krijuar tashmë.

Pacolli: Në politikën e jashtme sfidë mbetet Serbia dhe lobimi i tyre kundër Kosovës

“Sfida kryesore e jona është integrimi dhe normalisht anëtarësimi i Kosovës në OMKB dhe në organizata tjera që mund të pasojnë para integrimeve dhe me të mëdha në organizatat botërore...Në rrugëtimin tonë kemi një sfidë tjetër, cila është ajo, sfida është kundërshtimet e Serbisë. Kundërshtimet e Serbisë janë shumë të mëdha, në çdo aspekt. Po me duket se ka ndryshuar koha, unë kam lobuar edhe në periudhën 2008-2013, por tani ballafaqohemi me një agresivitet të Serbisë të paparë ndoshta përpara...Serbia ka targetuar shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe pothuajse ka angazhuar një arsenal të madh njerëzish e mjetesh për të lobuar tek këto shtete që mos të kenë asnjë kontakt me Kosovën. Këtë e them me përgjegjësi se çdo kontakt që kam pasur deri tani me secilin që kam biseduar deri tani, biseda e parë që ka qenë, është se kam fol me Serbinë, ajo ka thënë se nuk ju njeh, thotë se ju nuk do të bëheni asnjëherë shtet. Dhe humbin 30 minutat e parë duke ia shpjeguar realitetin”, tha Pacolli.

Ministri Pacolli tha se sfidë është edhe përfshirja e politikës në shërbimin diplomatik të Kosovës. Sfidë tjetër, Pacolli përmendi edhe gradimet e bëra duke thënë se vetëm në dy ditët e fundit të ish ministrit janë bërë 80 gradime.

E kur foli për dialogun, ministri Pacolli tha se është kundërshtues i madh i atyre që thonë se nuk kanë çka bisedojnë me Serbinë.

Ndërsa, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O'Connell theksoi se është shumë e rëndësishme që të investohet energji në dialogun me Serbinë, pasi sipas tij, mungesa e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është pengesë për të dyja shtetet.

O'Connell: Mungesa e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, pengesë për dy palët

“Ka dy strategji të mundshme për lobim në botë, për çdo organizatë ndërkombëtare, për çdo njohje të hargjohet energji në atë fokus, ose normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Nuk dua të hyjë në debate politike por mendoj se është shumë e rëndësishme që të investohet energji nga dy palët por edhe nga bota në këtë proces. Mungesa e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, është pengesë për dy palët, por me shumë për Kosovën, ne e dimë, por është pengesë edhe për Serbinë dhe rajonin. Pra, është në interes te të gjithëve”, tha O’Connell.

Diplomati britanik tha se është shumë e rëndësishme që çdo shtet të ketë një orientim dhe strategji të qartë. Sipas tij Kosova duhet të jetë shtet normal dhe të ketë sundim të ligjit.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme Vjosa Osmani, ka pasur kritika të shumta duke thënë se gjatë dhjetë vjetëve ka pasur ndryshim të prioriteteve. Sipas saj, ky problem duhet të eliminohet dhe të koordinohen mes vete me shumë institucionet që janë përgjegjës për politikën e jashtme. Deputetja Osmani tha se e ardhmja e Kosovës nuk do duhej të varej nga dialogu me Serbinë, ani pse dialogu me fqinjët është i rëndësishëm.

Osmani: Prioritetet e politikës së jashtme u ndryshuan shpesh

“Sa i përket prioriteteve, kritika ime themelore përgjatë këtyre dhjetë viteve të fundit që jam në Kuvend, ka qenë ndryshimi tepër i shpeshtë i prioriteteve. Në këtë fushë duhet të mendojmë për prioritete shumë me afatgjata dhe të kemi konsistencë brenda institucioneve për këto prioritete. Çka ngjante para disa viteve ishte se ministri i jashtëm dilte me disa prioritete në një intervistë, në mbrëmje dilte me prioritete qoftë ish kryeministri Thaçi, qoftë presidentja me prioritete tjera, dhe kur shihnim programin e Qeverisë shihnim prioritete krejt tjera. Kjo problematikë duhet të eliminohet dhe të ketë një koordinim me të mirë në mënyrë që edhe dokumentet të jenë me serioze”, theksoi ajo.

Ajo tha se komisioni synon të jetë pjesë e të gjitha përpjekjeve në politikën e jashtme.

Këshilltari politik i presidentit, Ardian Arifaj theksoi se dialogu është rruga kryesore për integrimin e vendit. Por sipas tij dialogu nuk duhet parë vetëm me Serbinë, por dialog në kuptim me të gjerë, me vendet fqinje, me Brukselin e tjerë.

Arifaj: Dialogu një prej rrugëve kryesore të Kosovës

“U përmend dialogu me Serbinë, është e vërtetë se ka marrë shumë vëmendje por me arsye sepse është një prej sfidave kryesore por edhe një prej rrugëve kryesore të Kosovës drejt jë kalimi të problemit të lëna që nga lufta dhe hapja e faqes së re të paqes dhe ndërtimit, por edhe integrimit që përmendem më herët”, u shpreh Arifaj.

Arifaj e quajti të rëndësishëm edhe themelimin e ushtrisë së Kosovës si kontribuuese e paqes në rajon.

Ish diplomati, aktualisht drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci tha se Kosova ka problem me koordinimin e institucioneve në politikën e jashtme. Madje sipas tij politika e jashtme aktualisht bëhet në nivel pashallëqeve.

Peci: Politika e jashtme po zhvillohet në nivel të pashallëqeve

“Realisht politika e jashtme është duke u zhvilluar në nivel të pashallëqeve. Nuk ka koordinim institucional në zbatimin ose në formulimin dhe zbatimin e politikës së jashtme. Aq më tepër që në shumë raste shërbimi diplomatik është shumë i cunguar me informatat që duhet t’i marrë nga vendi i vet. Nga pozita e ish diplomatit besoni që nuk është punë e lehtë të veprosh kur nuk ki informacione sa duhet prej vendit të cilin e përfaqëson”, tha Peci.

Peci shtoi se Kosova mund të ndërtoj çfarëdo prioritetesh, çfarëdo të kenë qejf dhe t’i shkruajnë në letër dhe tentojnë t’i implementojnë, por nëse bëjnë iniciativa të tipit çfarë ka qenë tentativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe rasti i fundit me dëbimin e gjashtë qytetarëve turq, atëherë prioritetet në letra nuk do të bëjnë punë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat