Kjo është platforma e Veselit për unitet politik për temat e mëdha

Kosova

Kjo është platforma e Veselit për unitet politik për temat e mëdha

Më: 23 prill 2018 Në ora: 10:22
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli ka propozuar një platformë politike për bashkimin e spektrit politik në Kosovë rreth pesë temave me interes nacional.

Këtë platformë, Veseli ua ka dërguar gjithë liderëve të partive politike, nëpërmjet së cilës u bënë thirrje për  krijimin e një ekipi të përbashkët të liderëve politik me pjesëmarrje edhe të shoqërisë civile për shumë tema.

E këto pesë tema që përfshihen në dokument janë Dialogu me Serbinë, Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, Agjenda e Integrimeve Evropiane dhe Reforma Zgjedhore,

“Në funksion të këtij qëllimi është i domosdoshëm krijimi i një ekipi të përbashkët, i udhëhequr nga Presidenti i Kosovës, e në të cilin do të përfshihej roli i të gjithë liderëve politikë dhe institucionalë  të vendit, si dhe personalitetet e shoqërisë civile, një praktikë kjo shumë rezultative gjatë proceseve historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, që nga Rambujeja deri në shpalljen e pavarësisë”, shkruan ndër të tjera Veseli në platformën e tij, të cilën mund ta lexoni të plotë si në vijim.

Përmbajtja e dokumentit:
Kadri Veseli-Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe udhëheqës i koalicionit parazgjedhor PAN
Platforma konsensuale dhe gjithëpërfshirëse e agjendës shtetërore në Republikën e Kosovës:

Të nderuar:

1.     Z. Isa Mustafa-Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës-LDK
2.     Z. Albin Kurti-Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje-VV
3.     Z. Ramush Haradinaj-Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës-AAK
4.     Z. Fatimr Limaj-Kryetar i Nismës Social-Demokrate
5.     Z. Behgjet Pacolli-Kryetar i Aleanca Kosova e Re-AKR
6.     Grupi i Deputetëve të Pavarur në Kuvendin e Kosovës
1.     Duke marrë për bazë interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, me qëllim të avancimit në agjendën e shtet ndërtimit;
2.     Duke synuar arritjen sa më të shpejtë të qëllimeve për integrime euroatlantike të Kosovës;
3.     Me qëllim që të përmbyllet dialogu me Serbinë, për t’u ndërtuar një partneritet i fqinjësisë së mirë;
4.     Duke vlerësuar situatën e tanishme politike në Republikën e Kosovës;
5.     Me vullnetin dhe përkushtimin për të përmirësuar të tashmen dhe garantuar të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.


Propozoj:
Platformën konsensuale dhe gjithëpërfshirëse të agjendës shtetërore në Republikën e Kosovës

I.                  Qëllimi

Kjo platformë ka për qëllim, arritjen e konsensusit politik, për disa prej çështjeve më të rëndësishme, me të cilat Republika e Kosovës është përballur më herët dhe është duke u përballur aktualisht. Çështjet të cilat do të përfshijë kjo platformë, janë ndër më të rëndësishmet për perspektiven e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Këto çështje, që një kohë të gjatë janë duke e penguar ecjen përpara të Republikës së Kosovës dhe si të tilla është në interesin nacional të shtetit që sëbashku t’i kapërcejmë ato. Me qëllim që të kemi një zgjidhje efikase, në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, është i nevojshëm ndërtimi i konsensusit politik në mes nesh. Ky konsensus parasegjithash duhet të reflektojë interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

II.               Çështjet

Ndër çështjet e rëndësishme, të cilat i konsideroj si parësore në këtë plaformë dhe për të cilat nevojitet ndërtimi i konsensusit dhe përpilimi i një agjende shtetërore të përbashkët janë:
1.                 Dialogu me Serbinë
2.                 Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe
3.                 Themelimi i Ushtrisë së Kosovës
4.                 Agjenda e Integrimeve Evropiane
5.                 Reforma Zgjedhore
1.     Dialogu me Serbinë

Dialogu me Serbinë, dhe faza në të cilën gjendet ai, është njëra ndër shtyllat e para për të cilën nevojitet një platformë shtetërore, si dhe një qëndrim i përbashkët. Unifikimi i qëndrimeve, në këtë fazë të dialogut me Serbinë është shumë i rëndësishëm, sidomos kur kemi parasysh fazën përmbyllëse të tij. Unifikimi i qëndrimeve dhe ndërtimi i një platforme shtetërore të përbashkët për këtë çështje, do të ishte garancion i përfundimit më të mirë të procesit të dialogut me Serbinë.

Në funksion të këtij qëllimi është i domosdoshëm krijimi i një ekipi të përbashkët, i udhëhequr nga Presidenti i Kosovës, e në të cilin do të përfshihej roli i të gjithë liderëve politikë dhe institucionalë  të vendit, si dhe personalitetet e shoqërisë civile, një praktikë kjo shumë rezultative gjatë proceseve historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, që nga Rambujeja deri në shpalljen e pavarësisë.

Ky ekip i përbashkët, përmes unifikimit të qëndrimit të Republikës së Kosovës, në raport me çështjet, përkitazi me dialogun, do të lehtësonte në masë të madhe edhe qasjen e bashkësisë ndërkombëtare në këtë aspekt. Krijimi i një grupi strategjik shtetëror, që do të koordinonte procesin e dialogut me Serbinë, do të lehtësonte në masë të madhe edhe vendimmarrjen e brendshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat