Haxhiu: 80 deputetë bënë gabimin më të madh që edhe historia do ta njohë

Kosova

Haxhiu: 80 deputetë bënë gabimin më të madh që edhe historia do ta njohë

Më: 20 prill 2018 Në ora: 19:52
Albulena Haxhiu

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka folur për Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian ditë më parë.

“Në raportet e kaluara, sidomos në atë të vitit 2016, veprimi i opozitës në Kuvend është cilësuar si ‘veprim i dhunshëm’. Në raportin aktual cilësohet si ‘veprim i papranueshëm’, pra ka progres në gjuhën e përdorur”.

“Unë po i bëj krahasimet se kam pasë mundësi të analizojë edhe raportin e vitit 2016, 2015 edhe vitit 2014”.

Haxhiu ka folur edhe për atë se ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi përmendet si e arritur në Raportin e Progresit.

“Është e qartë dhe vërtetë që konsiderohet si e arritur çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, por çka me thënë tjetër Bashkimi Evropian kur vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar një marrëveshje jashtëzakonisht të dëmshme”.

“Ne presim vendim të Gjykatës Kushtetuese, derisa kemi deponuar një kallëzim penal kundrejt presidentit, Hashim Thaçi, dhe arsyetimi i Prokurorisë se pse nuk duan ta hetojnë këtë rast është për shkak se ka votuar tashmë Kuvendi i Kosovës”.

Ajo në Info Magazine ka thënë se presidenti i vendit ka bërë “tradhti ndaj vendit”.

“Konsideroj se 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë bërë gabimin më të madh, që edhe historia do ta njohë”.

“Konsideroj se Hashim Thaçi ka bërë tradhti ndaj vendit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që e kanë votuar këtë marrëveshje kanë bërë tradhti ndaj vendit”.

“Nuk po e them unë, Kodi Penal, jo rastësisht e parasheh si nen tradhtinë ndaj vendit”.

“Kuvendi ka bërë gabim jashtëzakonisht të madh. Gjykata Kushtetuese është në trajtim të kësaj lënde. Ka shkelje procedurale dhe Kushtetuese, për shkak se territori i Kosovës është unik dhe i pandashëm dhe deputetët e Kuvendit kanë bërë edhe shkelje të Kushtetutës me atë votim”.

“Në diskutimet që kemi pasur me ta është ndryshe, ata e dinë, shumica dërmuese e dijnë që kanë gabuar me votën e tyre por ka pasë presione të shumta, vendore dhe ndërkombëtare për të kaluar çështja e Demarkacionit”.

Deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se kanë pritur qasje ndryshe nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, që dikur bashkë me të si opozitë e bashkuar e kanë kundërshtuar marrëveshjen e Demrkacionit.

“Si ka mundësi njeriu që për shkak të karriges që mban është në gjendje të bëjë gjithçka në shpërputhje me qëndrimet e tij politike?”.

“Ai ka formuar një Komision Hetimor prej njerëzve që e njohin më së miri këtë fushë. Atë raport, ndonëse është proceduar në Kuvend, ne si deputetë nuk kemi pasur mundësinë asnjëherë që ta diskutojmë sepse aty thuhet se është bërë vepër penale”.

“Përmenden një varg shkeljesh që në vazhdimësi kanë përcjellë punën e komisionit të Murat Mehës”.

Madje ajo nuk beson se deklarata e përbashkët mes presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi ka karakter obligativ.

“Nëse Kosova me Malin e Zi krijon trupin e përbashkët, atëherë ajo marrëveshje do të duhej të ratifikohej prapë në Kuvend, marrëveshja që këta po e imagjinojnë sepse për bindjen time nuk do të ketë fare marrëveshje tjetër që e kthen Kullën, Zhlebin dhe Çakorrin”

“Si do t’i detyrosh deputetët e Malit të Zi, sidomos kur subjekti që përfaqëson serbët atje është jashtëzakonisht më radikal”.

“Jemi për raporte të mira me Malin e Zi por jo në kurriz të Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat