Promovohet revista e parë për problematikën psikologjike në Kosovë

Kosova

Promovohet revista e parë për problematikën psikologjike në Kosovë

Më: 20 prill 2018 Në ora: 15:50
Ilustrim

Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, një organizatë joqeveritare nga Prishtina, sot, në hotelin “Grand” në Prishtinë po zhvillon një aktivitet të titulluar “Evidence Based Future” (E ardhmja e mbështetur në evidencë), në kuadër të të cilit, në orën 16:30 do të bëhet edhe promovimi i revistës “Psika”, për të cilën organizata në fjalë thotë se është revista e parë dhe e vetme psikologjike në Kosovë.

Revista do të jetë elektronike dhe do të mund të lexohet në telefonat e mençur, llaptopë, kompjuterë dhe tabletë.

Në ngjarjen e sotme prezantohen edhe rezultatet e tre hulumtimeve interesante lidhur me adoleshentët në Kosovë, që përfshijnë: Identifikimin e gjendjes psiko-sociale dhe emocionale në mesin e adoleshentëve në Kosovë, Identifikimin e gatishmërisë për vullnetarizëm në mesin e adoleshentëve dhe Identifikimin e ngacmimeve nga ana e mësimdhënësve në raport me nxënësit.

“Ne të gjithë jemi dëshmitarë të politikbërjes sociale, shëndetësore dhe arsimore në vend, që rëndom është kopjim i zbehtë i planeve dhe programeve ndërkombëtare dhe shumë pak apo aspak i adaptuar për nevojat e vendit.

Si pasojë e një politikbërjeje të tillë, kemi ngecje në zhvillim të këtyre fushave.

Ato konsiderohen si prioritete, por asnjëherë nuk kanë marrë vëmendjen e merituar.

Megjithatë, e ardhmja e këtyre tre fushave, nuk është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të vendit. Përkundrazi, ajo është edhe përgjegjësi e organizatave jo-qeveritare. Për të përmbushur një obligim të tillë, Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore do të zhvillojë ngjarjen “Evidence Based Future” (E ardhmja e mbështetur në evidencë). , thuhet në komunikatën e Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore lidhur me aktivitetin e sotëm.

Qëllimi i kësaj ngjarjeje, siç njoftohet, është prezantimi i hulumtimeve shkencore, që ofrojnë analizën e nevojave dhe që mund të shërbejnë si bazament për ndërtimin e intervenimeve efikase. Duke ndërtuar të ardhmen tonë në këto fusha, që është e mbështetur në evidencë, ne garantojmë zhvillim të qëndrueshëm.

“Nëse jeni të interesuar që të njihni etiketat dhe fyerjet e zakonshme që përdorin mësimdhënësit ndaj nxënësve të tyre, nëse dëshironi që të njihni shkallën e stresit dhe depresionit të fëmijëve të moshës shkollore në vend dhe të kuptoni gatishmërinë e tyre për punë vullnetare, atëherë jeni të mirëpritur në eventin e pare të ‘’Evidence Based Future – E ardhmja e bazuar në evidencë’’, thuhet në komunikatën e Qendrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat