Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka mbajtur takimin e parë konstituiv të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ku në praninë e 5 anëtarëve vendorë të këtij Këshilli dhe në komunikim online me 3 anëtarët ndërkombëtarë, me shumicë të votave, kryetar i KSHC-së u zgjodh Gazmend Luboteni.
Bytyqi theksoi se takimi do të vazhdojë me pikat tjera të rendit të ditës, ku do të zgjidhet nënkryetari dhe do të përcaktohet mandati 3 apo 5-vjeçar i anëtarëve vendorë me anë të hedhjes së shortit, ndërsa anëtarët ndërkombëtarë do të kenë mandat 5-vjeçar.
Anëtarët e KSHC-së në prani të ministrit lexuan deklaratën e betimit, me të cilën u zotuan se do të kryejnë me përkushtim dhe përgjegjësi detyrën që iu është besuar, ndërsa gjatë gjithë takimit komunikimi me anëtarët ndërkombëtarë të KSHC-së ka qenë i drejtpërdrejtë.
Në këtë takim, për shkak të udhëtimit jashtë vendit nuk ishte prezente anëtarja Arta Jakupi, për të cilën u njoftuan edhe anëtarët ndërkombëtarë, të cilët shprehën pëlqimin që KSHC mund të konstituohet në mungesë të arsyeshme të një anëtari, thuhet në komunikatë.