80 fermerë mitrovicas përfitojnë serra

Kosova

80 fermerë mitrovicas përfitojnë serra

Më: 20 prill 2018 Në ora: 12:56
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe drejtori i drejtorisë për Bujqësi, Ekrem Sadiku, kanë nënshkruar sot kontrata me 80 fermerë përfitues të serrave

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe drejtori i drejtorisë për Bujqësi, Ekrem Sadiku, kanë nënshkruar sot kontrata me 80 fermerë përfitues të serrave.

Nga gjithsej 80 serra, dhjetë janë të mëdha, me mbi 200 metra katrorë, kurse të tjerat janë serra familjare, për të cilat komuna ka siguruar subvencione në vlerë prej 40 mijw  euro. Bahtiri u shpreh i lumtur që komuna është në gjendje të ndihmoj sektorin e bujqësisë, përkatësisht fermerët e komunës përmes projekteve të ndryshme.

 “Kam thënë se ndër projektet kryesore të komunës gjatë mandatit tim, do të jetë edhe investimi në bujqësi dhe mbështetja e fuqishme për fermerë. Fakti se sot po i nënshkruajmë kontratat me 80 fermerë të komunës, tregon për përkushtimin tim që të mbështesë sektorin e bujqësisë dhe në veçanti fermerët. Ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq, por do të vazhdojmë edhe me realizimin e projekteve tjera, duke siguruar subvencione nga buxheti i komunës, apo edhe nga donatorë të ndryshëm”, ka thënë Bahtiri.

Ai njoftoi fermerët e pranishëm në sallë se komuna do të mbështesë të gjithë fermerët që paraqesin projekte interesante, duke ju siguruar kredi bankare në vlerë deri në 10 mijë euro, me afat kthimi prej tre vjet.

“Obligimet bankare për kredinë që fermeri do të merr, përkatësisht kamatën, do të paguaj komuna. Besoj se kjo është një mundësi e mirë për ata fermerë që dëshirojnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre. Sigurisht se ne do të hulumtojmë edhe mënyra tjera të mbështetjes së fermerëve në realizimin e projekteve të tyre”, tha ai.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Ekrem Sadiku, njoftoi fermerët përfitues të serrave, se konkurrenca ka qenë mjaft e madhe, pasi që për 80 serra janë paraqitur mbi 180 kandidatë, nga të cilët komisioni ka përzgjedhur ata që i kanë plotësuar kushtet më së miri. /A. Damati/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat