Filloi rregullimi i rrugës dhe rrethojës së oborrit në QMF të Llazicës

Kosova

Filloi rregullimi i rrugës dhe rrethojës së oborrit në QMF të Llazicës

Më: 19 prill 2018 Në ora: 13:39
Foto nga rregullimi i rrugës dhe rrethojës së oborrit në QMF të Llazicës

Në kuadër të investimeve në rregullimin e infrastrukturës përcjellëse në fushën e shëndetësisë, sot ka filluar realizimi i projektit për hapjen dhe rregullimin e rrugës për Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Llazicë të Malishevës.

Në kuadër të këtij projekti do të rregullohet edhe rrethoja e oborrit të këtij objekti shëndetësor.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj u shpreh i përkushtuar për krijimin e kushteve sa më të mira dhe rregullimit të infrastrukturës së përgjithshme në shërbim të qytetarëve.

“Pavarësisht objektit dhe kushteve të mira që janë, rruga ka qenë problemi kryesor, prandaj sot po e hapim këtë rrugë, e cila do të jetë tërësisht në shërbim të QMF-së dhe banorëve të kësaj ane, të cilët kanë nevojë për shërbimet shëndetësore", tha ai.

Ndërsa, drejtori komunal për Urbanizëm, Islam Vrenezi, tha se "kjo rrugë do të hapet dhe rregullohet në tërësi, sikur edhe rrethoja, në mënyrë që objekti shëndetësor të jetë i siguruar dhe të ketë kushte normale për punë”.

Ndërtimi i rrugës dhe rrethojës, është investim nga buxheti i Komunës së Malishevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat