Shënohet 20-vjetori i themelimit të Njësitit të parë të UÇK-së në Shalë

Kosova

Shënohet 20-vjetori i themelimit të Njësitit të parë të UÇK-së në Shalë

Më: 18 prill 2018 Në ora: 15:48
Shënohet 20-vjetori i themelimit të Njësitit të parë të UÇK-së në Shalë

18 prilli i para dy dekadave, dita kur në këtë fshat u paraqit Njësiti i parë i UÇK-së, ishte dita e krenarisë sonë kombëtare në rajonin e Shalës dhe ditë që nuk përshkruhet me laps e me fjalë.

Kështu u tha sot në fshatin Zabërgjë, me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Njësitit të parë të UÇK-së në Shalë të Bajgorës, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, pjesëtarë të FSK-së, ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfaqësues të shoqatave të luftës, si dhe banorë të rajonit të Shalës e më gjerë.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se para 20 vitesh, trimat e kësaj ane i treguan armikut se durimit i ka ardhur fundi, dhe kapën armët në duar për t’i dal zot atdheut.

Ai ka apeluar tek të gjithë politikanët që pavarësisht partive dhe politikave ditore, të bashkohen si asnjëherë më parë pranë gjakut të dëshmorëve, për të mirën e Kosovës.

Bahtiri: Shala gjithmonë ka treguar trimëri

“E di që ka qenë luftë e pabarabartë, mirëpo Shala gjithmonë ka treguar trimëri, jo vetëm gjatë luftës së fundit, por ndër shekuj...Apeli im për të gjithë ata politikanë që ka Kosova është që të bashkohemi, t’i harrojmë politikat ditore, partitë politike, dhe të forcohemi e të bashkohemi afër gjakut të dëshmorëve, për arsye se vetëm ata kanë dëshmuar se e duan këtë vend”, ka thënë Bahtiri.

Rafet Ibishi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës në Mitrovicë, theksoi se sa herë që përmendet e kaluara, kujtohet rruga nëpër të cilën kaluan luftëtarët për të arritur deri në ditët e sotme.

Ibishi: Lufta e UÇK-së bëri kthesën më të madhe në historinë tonë

“Lufta e UÇK-së bëri kthesën më të madhe në historinë tonë qindra vjeçare dhe ishte më meritorja për lirinë të cilën e gëzojmë sot, ndërsa popullata shqiptare ishte kurrizi dhe tabani i kësaj ushtrie çlirimtare. Banorët e fshatit Zabërgjë ishin dhe do të mbesin shembulli më i mirë i kësaj”, u shpreh Ibishi.

Në anën tjetër, Nexhat Dedia, njëri nga themeluesit e Njësitit të parë në këtë zonë, duke përshkruar kronologjinë e ngjarjeve të atëhershme, ka bërë të ditur se pas vendosjes të Njësitit në fshatin Zabërgjë, detyrë parësore ishte grumbullimi i armëve.

Sipas tij, shumë armë u grumbulluan vullnetarisht dhe për një kohë të shkurtër.

“Në këtë kohë Zabërgja shndërrohet në qendër të rekrutimit të vullnetarëve, kështu që të gjitha rrugët të shpienin në Zabërgjë. Njëherit Zabërgja  ishte edhe burim i vetëm i furnizimit me bukë, kripë e zemër, por edhe përkrahjet tjera nuk mungonin. Zabërgja u shndërrua në qendër stërvitore jo vetëm për Njësitet e Shalës, por edhe për Njësitet e zonës së Llapit, ngase në rajonin e Llapit nuk kishte siguri për veprimtari të hapur. Dhe kështu Zabërgja nga një fshat I vogël dhe shumë pak I njohur, u shndërrua në në kështjellë për të cilën mori vesh Beogradi dhe Evropa”, theksoi Dedia.

Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje për shtatë themeluesit e parë të UÇK-së në këtë zonë, Avni Imeri, Agim Zeka, Gani Imeri, Emin Begu, Xhafer Bajrami (Zogu), Nexhat Dedia, dhe dëshmori Ferki Aliu.

Mirënjohje u ndanë poashtu edhe për familjet e këtij fshati që kontribuuan në ato kohë të vështira, ndërsa nxënësit e shkollës së fshatit kanë shfaqur program me këngë e recitime kushtuar dëshmorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat