BE kërkon raportin me vendime të prera gjyqësore dhe konfiskime për korrupsion

Kosova

BE kërkon raportin me vendime të prera gjyqësore dhe konfiskime për korrupsion

Më: 17 prill 2018 Në ora: 22:21
Ilustrim

Kosova sërish është ranguar në një ‘fazë të hershme’ sa i përket zhvillimeve në sferën e sundimit të ligjit si dhe ngritjes së kapaciteteve të sistemit gjyqësor.

“Gjyqësori është ende i prekshëm nga ndikimet e panevojshme politike dhe institucionet e sundimit të ligjit kërkojnë përpjekje të qëndrueshme për të ndërtuar kapacitetet e tyre. Administrimi i drejtësisë mbetet i ngadalshëm dhe joefikas”, thuhet në raportin e Progresit të BE-së i publikuar sot.

Një progres, sipas BE-së, Kosova e ka bërë me integrimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë në institucionet e drejtësisë në veri të Mitrovicës si dhe me punësimin e stafit profesional për përkrahjen e hetimeve të korrupsionit të nivelit të lartë.

Në vitet në vazhdim Kosova, sipas BE-së, duhet të merr masa konkrete për të rritur pavarësinë, përgjegjësinë, profesionalizimin si dhe efiqiencën e gjyqësorit. Po ashtu kërkohet që të vazhdohet puna në drejtim të hartimit të raportit me të dhëna lidhur me luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë vendime të prera gjyqësore si dhe konfiskime për raste korruptive të nivelit të lartë, raport ky që është edhe kriter i Kosovës në kuadër të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat