Edhe Policia kërkon ngritje të pagave

Kosova

Edhe Policia kërkon ngritje të pagave

Më: 12 prill 2018 Në ora: 10:56
Foto ilustrim

Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës të mbështet dhe aprovon propozimet nga dokumenti i përbashkët i menaxhmentit të Policisë dhe Sindikatës të Policisë së Kosovës në lidhje me nivelimin e pagave.

“Grupi i punës gjatë punës dhe hartimit të këtij dokumenti me sqarimet përcjellëse që përmban dokumenti janë përpjekur që mos të  dëmtohen interesat e punonjësve të Policisë së Kosovës dhe të jenë të barabartë me dikasteret e tjera të sigurisë në vendin tonë, siç është FSK-ja, jo më shumë, por jo edhe më pak, duke marr parasysh punën dhe përgjegjësitë që ka Policia e Kosovës në  zbatimin e detyrave konform Kushtetutës të Republikës së Kosovës, Ligjit të Policisë dhe ligjeve tjera, për të mbrojtur integritetin territorial, sovranitetin e vendit, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe zbatimin e vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Policisë.

Sindikata e Policisë nëpërmjet komunikatës adreson shqetësimet e  punonjësve të   Policisë se çfarë do të ndodh me pagat e tyre.

“Më 5 shkurt Qeverisë  iu kemi drejtuar me shkresën Nr.01-04/2018 me të cilën për punonjësit e Policisë kemi kërkuar gjetjen e mundësive për zgjidhjen e çështjes më jetike për punonjësit e Policisë së Kosovës e që është sigurimi alternativ shëndetësor dhe jetësor. Mirëpo, akoma nuk patëm asnjë përgjigje nga qeveria, edhe pse e dinë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe mbarë opinoni publik se Policia e Kosovës është policia e vetme në rajon dhe në botë, e cila nuk ka sigurim shëndetësor dhe jetësor. Këtë çështje që nga themelimi i Sindikatës të Policisë së Kosovës e kemi shtruar si çështjen më prioritare për punonjësit e Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës është institucioni më i rrezikuar në shoqëri. Këtë e argumenton fakti se që nga themelimi i Policisë së Kosovës deri më tani kemi 17 raste të vdekjes në kryerje të detyrës, ndërsa numri i të lënduarve gjatë gjithë kësaj kohe ësht ë i madh dhe si pasojë në mesin tonë kemi zyrtar policor  që ka mbet invalid i përhershëm”, thuhet në komuniaktë.

Prandaj, Sindikata e Policisë, kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës në një afat sa më të shkurtër t`u jep epilog këtyre dy çështjeve jetike për punonjësit e Policisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat