Tahiri premton një gjyqësor më efikas për bizneset vendore

Kosova

Tahiri premton një gjyqësor më efikas për bizneset vendore

Më: 11 prill 2018 Në ora: 16:56
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri me nga përfaqësuesit e bizneseve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga përfaqësuesit e bizneseve që të jenë aktivë në dhënien e komenteve në politikat e reja që po harton Ministria e Drejtësisë, pasi, sipas tij, këto ndryshime do t'i japin një dimension tjetër zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Këto komente Tahiri i ka bërë në Prizren në takimin që u mbajt me bizneset e këtij rajoni, në kuadër të kampanjës “Drejtësia dhe biznesi”.

Me këtë rast, ministri i Drejtësisë tha se është i interesuar të dijë rreth problemeve që bizneset në Kosovë mund të hasin në fushën e drejtësisë, në mënyrë që të rritet efikasitet më i madh përmes reformave.

Sipas tij, procesi i reformave është tejet i rëndësishëm, pasi që në këtë mënyrë do të mund të arrihet kthimi i besimit të qytetarëve dhe bizneseve tek gjyqësori.

Tahiri: Jam i gatshëm të bashkëpunoj me ju

"Prej perspektivës time si ministër i Drejtësisë, jam jashtëzakonisht i gatshëm që të bashkëpunoj me ju, që të arrijmë të krijojmë një ambient më të mirë të të bërit biznes kur vjen çështja te ndarja e drejtësisë, funksionimi i gjyqësorit si dhe i profesioneve të lira. Profesionet e lira ne i quajmë noterët, përmbaruesit privat, do të thitë me e pa pak a shumë se si e vlerësoni punën e tyre. Pra, këta 7 muaj kam parë preokupime të mëdha të bizneseve në raport me drejtësinë dhe reforma të ndryshme. Unë nuk kam ardhur të diskutoj për probleme të përveçme, por ne do ta marrim një drejtim të ri", tha ai.

Tahiri tha se para se të marrin vendime do të diskutojnë ngushtë me komitetet e bizneseve dhe se për këtë do të shqyrtohet edhe mundësia e themelimit të një gjykate komerciale që do të merrej vetëm me çështje të bizneseve.

Ndërsa përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se ka shumë ide të cilat janë paraqitur në Odën Ekonomike, ku ekziston një pajtueshmëri e përgjithshme se ndër problemet kryesore që e pengojnë afarizmin e shumë ndërmarrjeve dhe tërheqjen e investitorëve të huaj është sundimi i ligjit.

Rukiqi: Mos funksionimi i gjykatave ndikon direkt në biznese

"Qoftë ajo që lidhet me mosfunksionimin e gjykatave, qoftë ajo që lidhet me mos garantimin e të drejtave pronësore, qoftë mos mbrojtja e caktuar e investimeve, qoftë mos zbatueshmëria e kontratave, janë disa komponentë që kanë ndikime të drejtpërdrejta në biznes dhe në fitimet e pritjet e kompanive", potencoi ai.

Drejtori i KIESA-s, Besian Mustafa, e vlerësoi lart iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për siç tha ai, "kthimin e shikimit kah bizneset". Teksa sa i përket sfidave kryesore që deri më tash bizneset kanë adresuar, Mustafa tha kanë të bëjnë me ATK-në, doganat dhe KEDS-in.

Mustafa: Gjyqësori është shumë i rëndësishëm për investitorët e huaj

"Në takimet që ne kemi pasur së bashku, ndër sfidat kryesore kanë qenë dhe kanë pasur të bëjnë me ATK-në, doganat dhe KEDS-in. Andaj një iniciativë e tillë është më se meritore nga sektori privat në veçanti. Drejtësia dhe gjyqësori është shumë i rëndësishëm për investitorët e huaj, por edhe për investitorët vendorë, për prodhuesit dhe eksportuesit në Kosovë. Nuk do fjalë se siguria dhe drejtësia në një vend ofron kushte më të volitshme qoftë për bizneset dhe qoftë për turistët", tha ai.

Refki Hoxha, kryetar i Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike Regjionale, tha se problemi kryesor është te Zyra e Prokurimit.

Hoxha: Pa gjykata nuk ka perspektivë të biznesit

"Problemet janë të shumta. Pa Ministri të Drejtësisë, pa gjykata, nuk ka perspektivë të biznesit. Pengesat janë të shumta, duke filluar prej ministrive të ndryshme. Problemi kryesor është me Zyrën e Prokurimit. Sherri më i madh është aty dhe nuk zbatohet ligji. Për shembull nëse të kanë bërë të padrejtë diku, një tender, ajo ankesë e jotja shkon në shportë të bërllokut", rrëfeu ai.

Ndërsa ministri Tahiri tha se është këto janë shqetësime të bazuara dhe për këtë sqaroi se janë duke themeluar Zyrën e Kontrollit dhe duke punuar në rritjen e kapaciteteve të gjykatave për adresimin e çështjeve komerciale, bizneseve.

Nexhmedin Asllani, drejtor i Odës Rajonale të Prizrenit tha se komuniteti i biznesit ka vuajtur dhe po vuan për drejtësi të mirëfilltë.

Sipas tij, kur një lëndë kryhet dhe shkon në shkallën e dytë, aty ndalet për 2-5 vjet, atëherë nuk ka kurrfarë efekti.

Ndryshe, ministri Tahiri premtoi se bizneset do të jenë të informuara dhe do të konsultohen me kohë për çfarëdo vendimi që ka të bëjë me to.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat