Institucionet gjyqësore do të trajtojnë me prioritet lëndët që lidhen me liberalizim

Kosova

Institucionet gjyqësore do të trajtojnë me prioritet lëndët që lidhen me liberalizim

Më: 27 mars 2018 Në ora: 15:04
Foto nga takimi

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur një takim i përbashkët, qëllimi i së cilit ishte koordinimi i të gjitha institucioneve gjyqësore në zgjidhjen e menjëhershme të lëndëve për liberalizim të vizave.

Në këtë takim të përbashkët të pranishëm ishin Nehat Idrizi - Kryesues i  Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, Enver Peci - Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, Hasan Shala - Kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Afërdita Bytyçi - Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Agim Maliqi - Gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe njëherit edhe koordinator për lëndët e shënjestruara të mekanizmit përcjellës LV, si dhe gjyqtarët e kësaj Gjykate nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Departamenti i Përgjithshëm- Divizioni për Çështje Penale dhe Departamenti për të Mitur.

Sipas komunikatës dërguar mediave, me këtë rast, Nehat Idrizi - Kryesues i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës kërkoi nga gjyqtarët e kësaj Gjykate që të bashkëpunojnë që sa më parë të zgjidhen rastet e korrupsionit dhe të shihen rezultatet.

“Kërkoj nga të gjithë ju që të thelloni bashkëpunimin dhe sa më parë të kemi rezultatet e para në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit. Ne ju premtojmë mbështetje për secilin gjyqtar që merret me këto raste”, deklaroi Idrizi.

Në anën tjetër, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërtita Bytyçi tha se në gjykatën të cilën ajo drejton janë 18 raste për liberalizim të vizave prej të cilave 3 janë të përfunduara.

“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjithsej lëndë të shenjëstruara janë 18, prej të cilave 3 janë të përfunduara. Të gjitha lëndët janë në procedurë dhe ne jemi të përkushtuar që sa më parë ato t’i zgjidhim”, tha Bytyçi.

Të gjithë krerët e institucioneve gjyqësore u dakorduan që do të trajtojnë me prioritet të gjitha lëndët të cilat ndërlidhen me liberalizim të vizave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat