Ligji i informatorëve i pazbatueshëm tash 7 vjet

Kosova

Ligji i informatorëve i pazbatueshëm tash 7 vjet

Më: 26 mars 2018 Në ora: 17:10
Foto nga tryeza

Në Ditën Ndërkombëtare të Informatorëve është kërkuar raportimi i krimit në Kosovë, derisa është thënë se ligji nuk po zbatohet përkundër faktit se është në fuqi që nga viti 2011.

Në Ditën Ndërkombëtare të Informatorëve është kërkuar raportimi i krimit në Kosovë, derisa është thënë se ligji nuk po zbatohet përkundër faktit se është në fuqi që nga viti 2011.

Kështu deklaroi ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në një tryezë të rrumbullakët ku ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë rritur përpjekjet për luftimin e të gjitha dukurive që cenojnë integritetin institucional.

Sipas Tahirit, nevoja për të ndryshuar ligjin aktual është nevoja për t’i dhënë përgjigje disa prej elementeve themelore që i kanë munguar këtij ligji, siç janë: mungesa e procedurës së informimit dhe mungesa e mbrojtjes së atyre që ekspozojnë sjellje të pahijshme.

Tahiri: Ligji për mbrojtjen e informatorëve tërësisht i pazbatueshëm

“Që nga viti 2011 ekziston një ligj për mbrojtjen e informatorëve, por i cili fatkeqësisht nga ajo që flasin të dhënat tona në rang institucional dhe nga raportet e shumta të shoqërisë civile dhe partnerëve tanë, figuron se ka qenë tërësisht i pazbatueshëm. Jam i bindur se bashkarisht  me masat tjera në luftë kundër korrupsionit edhe informatorët do të jenë pjesë integrale e këtyre masave në mënyrë që përfundimisht të bëhet e qartë për të gjithë se korrupsioni dhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare në institucionet e Kosovës, por edhe askund tjetër nuk janë alternativë. Dhe çdo orvatje apo keqpërdorim do të marrë përgjigjen e merituar. Me këtë rast më lejoni që t’iu bëj thirrje të gjithë akterëve të shoqërisë civile, që të vazhdojnë punën në mbrojtjen e integritetit të institucioneve tona. Në këtë rrugëtim jemi të gjithë bashkë, dhe çdo individ që fuqizon përpjekjet tona, do të ketë mbështe tjen time të plotë dhe të pa kompromis si ministër i Drejtësisë”, tha Tahiri.

Libor Chlad nga Zyra e BE-së në Kosovë premtoi se BE-ja do të vazhdojë me asistencë ndaj të gjitha institucioneve që japin kontribut në përmirësimin e kornizës ligjore, ndërsa foli edhe për kryerjen e ligjeve për të cilat tha se nuk po gjejnë zbatim.

Chlad: Kosova nuk mund ta përballojë korrupsionin, të gjitha institucionet dhe qytetarët të jenë aktiv në lajmërimin e krimit

“Siç ka thënë edhe Juncker në Kosovë, luftimi i korrupsionit duhet të jetë prioritet për Kosovën dhe Qeverinë e Kosovës. Të gjithë besoj pajtohemi për këtë. Kosova nuk mund ta përballojë korrupsionin. Është thënë disa herë, korrupsioni kushton, çrregullon tregun, çrregullon administratën shtetërore dhe si pasojë qytetarët ballafaqohen me projekte të dobëta, çmime të larta dhe administratë të keqe. Bashkimi Evropian do të vazhdojë me asistencën e vet për të gjitha institucionet e përfaqësuara këtu, të cilat japin kontribut legjitim në përmirësimin e kornizës ligjore. Por ajo që është edhe më e rëndësishme është zbatimi, sepse çfarë na duhen ligjet në letër kur nuk zbatohen sa duhet. Dhe i bashkohem ftesës së ministrit që të gjitha institucionet dhe qytetarët të jenë aktiv në lajmërimin e krimit sepse kjo është diçka legjitime dhe është diçka që duhet të bëhet”, theksoi ai.

Për të adresuar korrupsionin, Chlad tha se BE-ja ka qenë shumë aktive në këtë drejtim, duke mbështetur reformën e sundimit të ligjit në Kosovë.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se pjesa më e madhe e ligjeve që miratohen në Kuvendin e Kosovës janë plotësim-ndryshim i ligjit derisa e meta kryesore është fati i shkurtër deri tek miratimi i tyre.

Jashari: Në vitin 2015, 65 për qind e gjithë legjislacionit ka qenë me plotësim-ndryshime    

“Ligji tek ne prej momentit të sponsorizimit deri tek miratimi zgjat një vit. Është një periudhë shumë e shpejt në krahasim me vendet e tjera, ku miratimi i ligjeve zgjatë prej 16-32 muaj. Është një mundësi më e gjatë që jep hapësirë për të pasur ligj sa më të qëndrueshëm. Në Kosovë është evidente që pjesa më e madhe e legjislacionit që miratohet nga ana e Kuvendit, është legjislacion me plotësime dhe ndryshime. Në vitin 2015, 65 për qind e gjithë legjislacionit të vendit kanë qenë legjislacion me plotësim-ndryshime nga vitet paraprake. 2016-ta është përcjellë me një zbritje prej 5 për qind diku. Mirëpo prapë edhe viti 2017 ka qenë me një nivel të tillë mbi 50 për qind. Dhe kjo sigurisht nuk i kontribuon një qëndrueshmërie dhe ndikon në pasiguri juridike”, theksoi Jashari.

Sipas tij, Kosova ka dy ligje që kanë qëndrime të kundërta, Ligji për Informatorët dhe ai për Shërbyesit Civil.

Kurse, Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion, theksoi se informatorët në Kosovë nuk kanë siguri të plotë. Sipas tij, ligji për mbrojtjen e informatorëve nuk është zbatuar në tërësi.

Havolli: Ka pasiguri gjatë zbatimit të këtyre ligjeve

“Kemi parë se disa informatorë që kanë prezantuar gjetjet në institucionet e veta, janë sanksionuar nga vet institucioni përkatës. Kështu që ka pasiguri gjatë zbatimit të këtyre ligjeve... Ligji për mbrojtjen e informatorëve i vitit 2011, është ndër ligjet që mund të themi se nuk është arrit ndonjë gjë e veçantë pasi që nuk është zbatuar në tërësi ashtu sikurse është paraparë. Ligji nuk ka marrë praktikat më të mira prej ndërkombëtare për mbrojtjen e informatorëve dhe nuk ka manifestuar ndonjë vullnet për të adresuar mbrojtjen e informatorëve”, theksoi Havolli. 

Sipas tij, ky ligj ka disa aspekte pozitive, siç është fakti se ai përmban disa standarde bazë si dhe rregullon sektorin publik dhe atë privat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat