Xhandarë e spiunë serbë në veri

Kosova

Xhandarë e spiunë serbë në veri

Më: 26 mars 2018 Në ora: 12:20
ilustrim

Më shumë se 20 pjesëtarë të xhandarmerisë serbe, në mesin e të cilëve edhe spiunë të Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA), kanë hyrë gjatë dy ditëve të fundit nga Serbia në territorin e veriut të Kosovës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Sipas këtyre burimeve, xhandarët serbë janë në rroba civile dhe kanë hyrë gjatë orëve të natës së shtunë dhe të diel nga kufiri i Jarinjes, ndërsa janë vendosur në konviktin e studentëve afër shkollës ‘Vuk Karaxhiq’ në Zveçan.

“Vllado Trebjeshanin, Miljan Dragoviq, Predrag Rakiç, Bato Llazareviq, janë vetëm disa nga emrat e xhandarëve nga veriu të cilët së bashku me kolegët e tyre nga Serbia ndodhen në veri”, kanë thënë burimet.

Në shoqëri të tyre janë edhe struktura tjera dhe njerëz të krimit, që janë nën urdhrat e bosit të ‘nëntokës’ Zvonko Veselinoviq, duke përfshirë edhe ‘Civilna Zastita’-n dhe kreun e saj Stevo Paviçeviq.

Ata janë mobilizuar në atë pjesë për sigurinë e drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriqit dhe sekretarit të përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikolla Selakoviq.

Derisa autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë hyrjen e zyrtarëve serbë pa leje në territorin e Kosovës, mbetet të shihet nëse këta të fundit do të hynë në vendin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat