Gjini: Po përpiqemi ta ndërtojmë një koncept të ri të menaxhimit publik

Kosova

Gjini: Po përpiqemi ta ndërtojmë një koncept të ri të menaxhimit publik

Më: 22 mars 2018 Në ora: 15:14
Ardian Gjini

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, sot ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të kolegjit AAB, me të cilët ka bashkëbiseduar për tema që kishin të bënin me komunën që ai drejton.

Ai ka folur për organizmin e pushtetit lokal, idetë dhe projektet e tij në mandatin katërvjeçar.

Kreu i Gjakovës ka bërë të ditur se qysh prej fillimit është angazhuar të punojë sipas konceptit të menaxhimit të ri publik, koncept që krahas investimit në projekte që shkojnë në të mirë të qytetarëve, komuna të ketë edhe përfitime material nga këto investime.

Në këtë drejtim, kryetari Gjini ka thënë se investimet prioritare janë ai në parkun e madh të qytetit, në lumin “Krena”, si dhe në rrugët që nxisin zhvillimin ekonomik dhe turizmin në Gjakovë.

I pyetur nga studentët, kryetari Gjini ka folur edhe për gjendjen e pastërtisë. Ai ka thënë se komuna po punon në dy aspekte në këtë drejtim, në aspektin afatshkurtër që nënkupton pastrimin dhe aspektin afatgjatë që nënkupton krijimin e mekanizmave për menaxhimin e mbeturinave.

Megjithatë, që Gjakova të jetë më e pastër, kryetari Gjini ka kërkuar ndihmë edhe nga qytetarët, të cilët i ka lutur që mbeturinat t’i hedhin vetëm në vendet e caktuara dhe të kryejnë obligimet e veta ndaj ndërmarrjes së pastrimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat