Apostolova: Mos koordinimi mes institucioneve, problem në zbatimin e MSA-së

Kosova

Apostolova: Mos koordinimi mes institucioneve, problem në zbatimin e MSA-së

Më: 20 mars 2018 Në ora: 15:55
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka ngritur sot shqetësimet se mos koordinimi mes institucioneve vendore paraqet problem në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Ajo këto komente i bëri me rastin e prezantimit të projektit të binjakëzimit “Mbështetja e institucioneve të Kosovës në zbatimin e MSA-së” nga Zyra e BE-së dhe Ministria e Integrimit Evropian, i cili synon krijimin e një administrate publike efikase në përmbushjen e detyrimet që dalin nga MSA-ja.

Apostolova tha se ky projekt do të asistojë Kosovën në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Apostolova: Koordinimi në mes të ministrive dhe agjencive të ndryshme shtetërore është sfidë

“Ne i dimë vështirësitë për koordinimin e projektit, por duke përfshirë katër ministri, sfida është edhe më e madhe. Megjithatë një prej qëllimeve dhe objektivave të projektit është koordinimi në mes të ministrive të linjës dhe Ministrisë së Integrimit Evropian për implementimin e MSA-së. Ky projekt do të shpërbejë për koordinim të tillë në praktikë. Një tjetër aspekt që rritë kompleksitetin e tij është karakteri i tij horizontal.  Ashtu siç shumica prej nesh e kemi përjetuar nga administrata publike në vendet tona, e dimë se koordinimi në mes të ministrive dhe agjencive të ndryshme shtetërore është sfidë. E njëjta vlen edhe për Kosovën. Ky projekt do të shohë ku dhe si mund të përmirësohet kjo çështje”, tha ajo.

Apostolova theksoi se së bashku me vendet e tjera të BE-së do të ndihmojnë Kosovën në procesin e implementimit të MSA-së.

Apostolova: Ju mbështesim në zbatimin e MSA-së

"Shtetet anëtare si partnerë janë të gatshme t'iu mbështesin në zbatimin e MSA-së. Duke qëndruar së bashku me ambasadorë të Gjermanisë, Kroacisë dhe Polonisë e dëshmon këtë se ne jemi afër jush gjatë implementimit dhe do t’iu mbështesim. Ky projekt që po e lansojmë sot ka të bëjë pikërisht me këtë partneritet të marrëveshjes të implementimit”, u shpreh Apostolova.

Shefja e Zyrës së BE-së tha se lëvizja e lirë e mallrave, e drejta e kompanive, prokurorimi publik, e drejta intelektuale, drejtësia dhe të drejtat themelore, si dhe drejtësia, liria dhe siguria janë disa nga kapitujt prioritar. Derisa theksoi se ideja është fokusimi në çështje sektoriale dhe zvogëlimin e mangësive.

Ajo bëri të ditur se gjetjet e projektit do t'i komunikohen Zyrës së BE-së dhe idetë të cilat nxirren mund të projektohet nga projektet e tjera, ndërsa shtoi se mbetet ende shumë punë për të bërë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, paralajmëroi se përmes këtij projekti institucionet do të ketë shumë punë dhe do të kenë një rrugë të vështirë. Sipas tij, qytetarët duhet të kuptojnë që integrimi në BE nuk është proces i lehtë dhe i shkurtë.    

Ai fillimin e këtij projekti e quajti proces historik, pasi sipas tij, ky projekt tregon që gjërat kanë filluar të lëvizin.

Heldt: Jemi këtu që t'i premtojmë Kosovës shumë punë dhe vështirësi

"Sot jemi këtu që t'i premtojmë Kosovës shumë punë dhe vështirësi. Kërkoj falje këtë, por për të arritur këtë kemi bërë një konsorcium të fuqishëm, Gjermania si shtet. Kroacia një nga anëtarët tona më të reja është dëshmi e këtij premtimi se BE-ja çdoherë e më shumë po i afrohet Kosovës. E di që është një udhëtim drejt të panjohurës. Jemi këtu që të ofrojmë këshilla sa më shumë që kemi për administratën tuaj e di që është një udhëtim  drejt të panjohur, por nuk do të keni më nevojë për këtë kur të bëheni pjesë e BE-së. Që nga pavarësia e Kosovës në vitin 2008, integrimi i Kosovës ka qenë prioritet i të gjitha qeverive.  Duke pasur parasysh këtë situatë, mendoj se do të jetë e arritshme që popullsia të kuptojë se për të arritur BE-në nuk mund të ndodhë shumë shpejt sepse është një proces i gjatë dhe i vështirë”, tha Heldt.

Heldt theksoi se është interes i shteteve të BE-së që jo edhe shumë larg, të shohin Kosovën në Bashkimin Evropian, ndërsa pranoi faktin se pesë shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën e kanë bërë edhe më të vështirë punën.

Udhëheqësi i këtij projekti, Demush Shasha nga Ministria e Integrimeve Evropiane në Kosovë, tha se ky projekt ka për qëllim përmirësimin e politikave për miratimin e Acquis së BE-së.

Shasha: Jemi dakorduar të fillojmë punën në 8 kapituj më prioritar të MSA-së

“Së bashku me Zyrën e BE-së dhe administratat e përfshira nga vendet anëtare, jemi dakorduar të fillojmë punën në 8 kapituj më prioritar të MSA-së. Tani kur e hapim MSA janë 600 faqe obligime dhe detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje. Vet MSA-ja thotë se zbatimi do të fokusohet në kapitujt prioritar të MSA-së. Dhe kemi filluar nga aty. Së bashku me projektin do të bëjmë analizë se në kuadër të këtyre kapitujve ku qëndrojmë sot. Në çështje të drejtësisë, në çështje të tregut të brendshëm, cili është ai nivel i legjislacionit të BE-së që duhet të arrijmë dhe ku jemi sot? Bazuar në atë gjendje, do të përgatisim 8 udhërrëfyes që ato zbrazëtira që gjejmë, t'i adresojmë brenda 3-5 vite", tha ai.

Ndërsa, ambasadorja e kroate në Kosovë, Marija Kapitanovic tha se këta kapituj janë shumë të rëndësishëm për t'i dhënë një shtytje ekonomisë të vendit.

Sipas saj, marrëveshja duhet të implentohet për hatër të shoqërisë dhe bizneseve të Kosovës në përgjithësi, e jo për hatër të shteteve anëtarë të BE-së.

Zëvendës ambasadorja e Polonisë në Shkup, Weronika Staniec tha se projektet e tilla shërbejnë për shkëmbime të përvojave dhe Polonia është e gatshme të ndihmojë Kosovën në kryerjen e detyrave.

Projekti në fjalë zbatohet nga një konsorcium, i cili përfaqëson tri shtete anëtare të BE-së: Ministrinë Federale të Gjermanisë për Çështjet Ekonomike dhe Energjetike, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Polonisë.

Vlera e këtij projekti kalon shifrën prej 1.6 milionë euro, ndërsa do të zgjasë deri më 15 qershor 2019./N.Jakupi/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat