Dy vdekje brenda 4 muajsh, Aeroporti i Prishtinës nuk ka defibrilator funksional

Kosova

Dy vdekje brenda 4 muajsh, Aeroporti i Prishtinës nuk ka defibrilator funksional

Më: 20 mars 2018 Në ora: 13:15
Ilustrim

Aeroporti i Prishtinës nuk ka defibrilator funksional për t’ua dhënë ndihmën e shpejtë personave që pësojnë arrest kardiak.

Dy persona kanë vdekur brenda 4 muajsh në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Një punëtor i ANP-së, Gent Zymberi, ndërroi jetë më 7 nëntor të vitit të kaluar. Policia e cilësoi si vdekje të dyshimtë, ndërsa mediat raportuan se 29-vjeçari vdiq pas një arresti kardiak.

Trupi i tij ishte dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, por rezultatet ende nuk kanë dalë.

Katër muaj më vonë, më 28 shkurt, në ANP ndërroi jetë një grua e cila sapo kishte zbritur nga aeroplani. Policia bëri të ditur se me rastin po merren njësitet e hetuesisë. Poashtu, trupi i të ndjerës është dërguar për obduksion.

Media ka mësuar nga burime se Aeroporti i Prishtinës, i cili menaxhohet nga kompania Limak, nuk ka defibrilator funksional të kalibruar dhe në gjendje për t’iu asistuar personave që pësojnë arrest kardiak. Një të tillë e ka kërkuar tek pas vdekjes së Zymberit.

Madje ka provuar edhe të angazhojë edhe profesionist shëndetësorë për ta trajnuar stafin për përdorimin e kësaj pajisje.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga zyra për media e ANP-së, nëse ky institucion është pajisur me defibrilator, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Aeroportet janë të obliguara të mbajnë defibrilator në rastet kur pasagjerët mund të pësojnë arrest kardiak nga presioni gjatë udhëtimeve me aeroplan. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë nuk ka asnjë defibrilator të vendosur, ndërsa i vetmi është te ekipi mjekësor, duke qenë edhe ai i vjetër dhe jo-funksional.

Në rastet e arrestit karidiak, çdo minutë e vonuar në intervenim, zvogëlon gjasat që trupi t’i kthehet normalitetit dhe çon deri në vdekje.

Në SHBA llogaritet që 20 për qind e arresteve kardiake ndodhin në vende publike si aeroportet.

Në Aeroportin Ndërkombëtar O’Hare në Çikago, ekziston për çdo minutë distancë nga një defibrilator. Për të punuar me të janë të trajnuar stafi mjekësor si dhe oficerët doganor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat