Rama: Kemi ende punë për të bërë

Kosova

Rama: Kemi ende punë për të bërë

Më: 19 mars 2018 Në ora: 16:07
Ceremonia e ndërrimit të komandës së BRSH-s

Në kazermën ,,Ushtarët e NATO-s” të Brigadës së Reagimit të Shpejtë të FSK-së në Istog, sot u mbajt ceremonia e ndërrimit të komandës së BRSH-së, nga gjeneral brigade Xhevahir Geci te gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj.

Ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha, ka falënderuar gjeneral brigade Xhevahir Gecin, për punën e bërë në ngritjen dhe avancimin e BRSH-së, ndërsa komandantit të ri, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj i ka uruar detyrën duke shprehur bindjen se gjeneral Hadërgjonaj, do ta avancojë zhvillimin dhe operacionalitetin e BRSH-së.

Berisha po ashtu kërkoi angazhim më të madh në ngritjen profesionale dhe ndryshim të misionit të FSK-së.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama foli për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe bashkëpunimin me partnerë.

“Ne do të vazhdojmë t’i avancojmë kapacitetet tona operacionale, në mënyrë që t’u  jemi pranë autoriteteve civile në ndihmë të qytetarëve të Kosovës. Bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë është garanci se ne jemi në rrugë të drejtë të trajnimit sipas standardeve të NATO-s, por edhe të jemi të ndërveprueshëm në zhvillimin e  operacioneve të përbashkëta. Kemi ende punë për të bërë, por besoj se me një përkushtim dhe profesionalizëm të vazhdueshëm sukseset nuk do të mungojnë”, tha gjeneral Rama.

Komandanti i FSK-së me këtë rast ka nderuar me medaljen për “Shërbim Vetëmohues” gjeneral brigade Xhevahir Gecin.  Në fund u bë dorëzim-pranimi i detyrës së komandantit të BRSH-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat