Kërkohet zbardhja e rastit të Afërdita Morinës, paralajmërohet edhe protestë

Kosova

Kërkohet zbardhja e rastit të Afërdita Morinës, paralajmërohet edhe protestë

Më: 19 mars 2018 Në ora: 14:41
Për këtë rast ky rrjet ka paralajmëruar edhe protestë për datën 23 mars, në orën 12:00, para objektit të Gjykatës në Rahovec.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon urgjentisht reagim adekuat të drejtësisë në Kosovë lidhur me rastin e së ndjerës Antigona Morina, me ç’rast dyshohet se Gjykata në Rahovec ka zhdukur ankesën e bërë nga Prokuroria pas vendimit i cili ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin kryesor, Hilmi Zekën.

Po ashtu për këtë rast ky rrjet ka paralajmëruar edhe protestë për datën 23 mars, në orën 12:00, para objektit të Gjykatës në Rahovec.

Rrjeti i grave përmes një njoftimi dërguar mediave, ka kërkuar që sa më shpejt të adresohen edhe lëshimet për këtë rast, meqë asgjësimi i shkresave zyrtare nuk paraqet vetëm përgjegjësi disiplinore por është vepër serioze.

“RrGK kërkon nga drejtësia kosovare llogaridhënie dhe seriozitet në trajtimin e këtyre rasteve në përputhshmëri me kërkesat e Kodit Penal të Kosovës, ku në njërin prej neneve, përkatësisht Nenin 415 parashihet edhe dënimi deri në 3 vite me burgim. Ju rikujtojmë që e ndjera kishte vdekur 6 vjet më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës. Bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, ka përkeqësuar gjendjen duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të”, thuhet ndër të tjerash në këtë komunikatë.

RrGK përsëri u bën thirrje institucioneve të drejtësisë, respektivisht Gjykatës së Apelit në këtë rast, të vazhdojë hetimin në lidhje me rastin e Afërdita Morinës, duke çuar para drejtësisë autorin e dyshuar për vdekjen e saj.

Rrjeti i grave beson se vetëm me vendime të drejta organet e drejtësisë mund të ndikojnë në uljen e dhunës, respektivisht krimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat