Malishevë: Këtë javë fillon aplikimi për ndërtimin e serrave

Kosova

Malishevë: Këtë javë fillon aplikimi për ndërtimin e serrave

Më: 19 mars 2018 Në ora: 10:55
Malishevë

Këtë javë, fillon aplikimi i bujqve, për ndërtimin e serrave. Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, të cilën e ka drejtuar nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha. Në këtë mbledhje, si zakonisht, drejtorët e drejtorive komunale kanë raportuar për aktivitetet e tyre gjatë javës së kaluar dhe për planifikimet për këtë javë.

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë, Murat Hoxha, tashmë fillon edhe realizimi i projektit të parë për këtë vit në sektorin e bujqësisë, e që ka të bëjë me ndërtimin e serrave. Fillimisht bujqit do të aplikojnë për ndërtimin e serrave, e më pas, në bazë të numrit të aplikuesve dhe atyre që i plotësojnë kriteret, do të bëhet edhe përzgjedhja e përfituesve. Drejtori Hoxha, gjithashtu tha se janë në përfundim të procedurave edhe për subvencione në bletari.

Nga ana tjetër, edhe drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Dibran Kastrati, ka njoftuar për aktivitetet e inspektoratit, që ka të bëjë me disa inspektime gjatë javës së kaluar, dhe si rezultat janë ndaluar punimet në ndërtimet pa leje, pastaj janë kontrolluar lokalet-kafiteritë, ku kanë hasur në mos zbatim të ligjeve dhe aktivitete tjera të inspektoratit. "Inspektimet do të vazhdojnë edhe këtë javë dhe këto inspektime do të jenë të vazhdueshme", tha drejtori Kastrati.

Edhe drejtori i arsimit, Blerim Thaçi, gjithashtu ka njoftuar për disa takime me zyrtarët e MASHT-it, dhe sipas tij, gjatë këtij viti pritet që MASHT ta përkrahë Malishevën me disa investime në shkolla.

Ndërsa drejtori i emergjencave, Valon Gashi, ka bërë të ditur se Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, është duke e monitoruar situatën nga reshjet atmosferike, si dhe rastet tjera emergjente, e që sipas tij, në disa raste ka rrëshqitje të dheut, si në fshatin Turjakë, dhe kjo rrëshqitje po paraqet problem, pasi dheu po bie në rrugë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat