Bytyqi- Strashevski diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Maqedoni

Kosova

Bytyqi- Strashevski diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Maqedoni

Më: 13 mars 2018 Në ora: 16:03
Shyqiri Bytyqi, priti sot në takim ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë, Ilia Strashevski

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti sot në takim ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë, Ilia Strashevski, me të cilin bisedoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe temat e mundshme për diskutim në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Ministri Bytyqi theksoi se bashkëpunimi rajonal është në të mirë të ngritjes së cilësisë në arsim në të gjitha vendet e rajonit dhe MAShT është e hapur për bashkëpunim, sidomos me vendet fqinje, thuhet në një komunikatë për media të MASHT-it.

Ai tha se në mesin e temave që janë planifikuar të diskutohen në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive është edhe njohja e diplomave mes dy shteteve dhe mundësitë e lehtësimit të procedurave për nostrifikimin e tyre, si dhe mobiliteti i studentëve dhe mësimdhënësve.

Ndërkaq, ambasadori Strashevski tha se Maqedonia ka një bashkëpunim të mirë me Kosovën në fushën e arsimit, por shtroi nevojën e thellimit të bashkëpunimit, duke përkujtuar se tashmë është duke funksionuar edhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, ku Kosova mund të japë kontribut në zhvillimin e këtij universiteti.

Ndryshe, gjatë takimit u bisedua edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e shkencës, në mënyrë që të të dy vendet të përfitojnë nga fondet e Bashkimit Evropian me projekte të përbashkëta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat