Në Ranoc të Klinës, u varros nëna e dëshmorit të kombit Kolë Mirdita, Grishe Jakaj Mirdita

Kosova

Në Ranoc të Klinës, u varros nëna e dëshmorit të kombit Kolë Mirdita, Grishe Jakaj Mirdita

Nga: Mikel GOJANI Më: 11 mars 2018 Në ora: 18:47
Grishe Jakaj Mirdita

Ne këtë moment lamtumirës të nënës së këtij dëshmori të kombit, përpos qytetarëve të shumtë, strukturave politike, përfaqësuesve të familjeve të dëshmorëve, OVL-ve, kishte ardhur për të marrë pjesë dhe nderuar, edhe Gjeneral Sanër Lleshi, ish-Komandanti i Forcave të Armatosur të Shqipërisë, aktualisht këshilltar i Kryeministrit Edi Rama.

Në varrezat e fshatit Ranoc të Komunës, me nderime kombëtare dhe fetare u varros nëna e dëshmorit të kombit Kolë Mirdita, Grishe Jakaj Mirdita. Në këtë ceremoni mortore morën pjesë qytetarë të shumtë të Lugut të Drinit, Dukagjinit dhe më gjerë, përfaqësues të pushteti lokal të Klinës, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të Organizatave të dala nga lufta e UCK-së etj. Ne këtë moment lamtumirës të nënës së këtij dëshmori, kishte ardhur për të marrë pjesë edhe Gjeneral Sanër Lleshi, ish-Komandanti i Forcave të Armatosur të Shqipërisë, aktualisht këshilltar i Kryeministrit Edi Rama.

Famullitari i Kishës Katolike Shqiptare, “Shën Gjon Pagëzuesi”, Dom Izak Dodes, në fjalën e tij të rastit, tha se një kaptinë të veçantë në historinë e popullit shqiptar pa dyshim zënë edhe gratë. “Ajo asnjëherë nuk u pajtua me padrejtësitë që i ndodhën gjatë historisë. Jo vetëm që nuk u pajtua me to, por lirisht mund të thuhet se ishte pjesëmarrëse aktive në të gjitha lëvizjet dhe organizimet që u ndërmorën për daljen nga robëria shekullore, që populli shqiptar me sakrifica të mëdha pagoi çdo gjakim të lirisë. Ajo me dashurinë që kishte për lirinë gjeti mënyra dhe mundësi për t'u aktivizuar në të gjitha format e rezistencës që u ndërmorën për lirinë e popullit, herë në mënyrë direkte, e herë në prapavijë, ajo me një dinjitet të lartë ishte aty ku ishin burrat dhe ku vendosej për fatet e mprehta të vendit. Njëra prej atyre nënave që jetën e saj kaloi nëpër një rrugë të vështirë dhe me plot sakrifica është edhe kjo Nënë, të cilës sot me pietetin më të lartë po ia bëjmë lamtumiren, me betimin që do ta kujtojmë dhe përjetësojmë për jetë e mote”, pohoi dom Dodes, i cili në vijim, duke folur për shëmbëlltyrën e kësaj Nëne të këtij dëshmori i kombit, tha se jemi mbledhur sot para trupit të pajetë të kësaj nënë shumë të madhe, më shpirt dhe me zemër të madhe, e cila të birin e saj Kolë Mirditën ia fali kombit dhe atdheut të saj. Kolë Mirdita u vra më 9 korrik 1988 në kufirin shqiptaro-shqiptar në vendin e quajtur Rrasa e Zogut. Pra, biri i kësaj Nëne të Madhe, ra për këtë tokë, ra për këtë dhe, që është larë me gjak she sakrifica. Nënë Grisha ka vuajtur shumë, në vitin 1945 soldateska serbe në Istog i vrau edhe babanë e saj, Pjetër Jakun bashkë me qindra atdhetarë të tjerë shqiptarë. Ishte shembull - model, si ta duam familjen, si qeliza qenësore e kombit, si da duam atdheun. Fjalët e saja sa ishte gjallë ende mbesin të gjalla dhe kushtrim për të gjithë. Jemi të vetëdijshëm se e keni mjaft vështirë për humbjen e Njeriut tuaj më të dashur, bashkëshortes, nënës, gjyshes, Nënës Grishë. Fjalët tani janë të tepërta, sikur vishen me pikëllim për humbjen e e kësaj Nëne shpirtbardhë, tepër të njerëzishëm.

E tani do ndjehet mungesa për të. Vdekja është e pamëshirshme, cinike, e ftohtë sa merr me veti edhe njerëz si Nënë Grishë. Ne mund t’ia dhëmë një lamtumirë të thellë, me shprehjen e prehjes në qetësi në botën e amshueshme.

Qoftë i përhershëm kujtimi për këtë Nënloke të Madhe”, është shprehur dom Izak Dodes.

Ndërsa, në emër të familjes duke iu drejtuar të pranishmëve, mbesa e kësaj Nënloke, Blerta Mirdita, tha se jeta e gjyshes sonë ishte e mbushur me shumë ngjarje, me shumë dhembje, por edhe me shumë dashuri.

"E lindur në prag të një luftë të madhe boëtërore, që botës i solli tragjedi të mëdha, ë gjithashtu edhe kombit tonë. E dashtun Loke, sot është një ditë e ngrohtë pothuajse pranverore. Para jo më shumë se një jave kur ti luftoje më sëmurjen dhe ishe e dnërgjgjshme se po jetoje ditët e fundit, herë pas herë përsërisje këtë fjali: “O Zot nuk dua të vdes në këtë sel!” Ti në fakt ishe në ikje nga kjo botë, por mes dhimbjeve dhe mundimeve që sjell sëmurja, përsëri mendoje për ne, për të gjithë ata që do të mernin rrugë, ndonjëherë shumë të gjata, për të ardhur këtu, për t’u ndarë nga ti. Ti e dije se ata do të vinin në çdo rrethanë mes borës dhe shiut. Nuk do jetë vdekje në mes borës e acarit, do të jetë vdekje në një ditë me diell me dritë dhe pa shtrëngatë. Erdhën edhe nga Amerika tejoqeanike dhe sot më sa duket, Zoti ka dëgjuar lutjen tënde në këtë ditë më diell ku pranvera ka paralajmëruar me shenjat e saj në natyrë ringjalljen. Ti nuk prite më, por nxitove të na lësh bekimin. Ishe lodhur shumë, shumë, kishe nevojë të shtrihesh pak dhe the: “ Më vëni këtu pranë djalit tim të pushojë pak, të rri përgjithmonë pranë tij në Dheun e Atit tim, në Tokën time të Lirë. Lamtumirë e dashtuna Loke, sot ne po ndahemi nga Ti, por besojmë dhe shpresojmë se takimi ynë me Ty në qiell është po aq e sigurtë si kjo ndarje e pikëllueshme sot. Pastë dritë shpirti Yt”, është shprehur ndër të tjera Blerta Mirdita.

Me telegram ngushëllimi familjen e ngushëlluan Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Kryetari i Komunës, Zenun Elezaj e shumë të tjerë.

Mbi varrin e kësaj Nënëloke të Madhe të Kombit u vunë shumë kurora lulesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat