Humbjen e Shpend Ahmetit, Albin Kurti e kompenson me një takim me Kryetarin e Klinës

Kosova

Humbjen e Shpend Ahmetit, Albin Kurti e kompenson me një takim me Kryetarin e Klinës

Më: 9 mars 2018 Në ora: 18:14
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka vizituar sot kryetarin e Klinës, Zenun Elezajn. Komunës së Klinës, Kurti duket t’i ketë dhënë shumë rëndësi edhe pse dje e humbi kryeqytetin. Këtë vizitë Kurti e ka marrë shumë seriozisht, duke publikuar fotografi e detaje nga dita e tij në Klinë.

Albin Kurti bashkë me deputetin Rexhepi Selimi kanë qëndruar sot në Klinë, të cilën e udhëheq Zenun Elezaj nga radhët e AAK’së. Vizita e Kurtit në Klinë erdhi një ditë pasi VV humbi Prishtinën.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Gjatë vizitës në Komunën e Klinës ku Lëvizja VETËVENDOSJE! është në bashkëqeverisje, bashkë me deputetin Rexhep Selimi, u pritëm nga kryetari i kësaj Komune, z. Zenun Elezaj, nënkryetari z. Besim Hoti, dhe drejtorët e Lëvizjes VETVËNDOSJE!, z. Ibër Elezaj, Drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, z. Skënder Merturi, Drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, dhe asambleistin e Lëvizjes, Xhevxhet Berisha. Në takim me Kryetarin Elezaj dhe udhëheqjen komunale biseduam për qeverisjen e re dhe punën e drejtorëve tanë. U dakorduam që në këtë bashkëqeverisje t’i jepet rëndësi bashkëpunimit të afërt me qytetarët, ecjes përpara të projekteve zhvillimore lokale në aspektin ekonomik, social e kulturor në mënyrë që të ofrojmë shërbime sa më të mira dhe efikase për qytetarët e Komunës së Klinës. Më pastaj, në Qendrën e Lëvizjes tonë në Klinë u pritëm nga aktivistë e anëtarë, ku diskutuam për formimin e forcimin e strukturave tona gjë që përkthehet në fuqinë e organizatës dhe shumësinë e aktiviteteve. Me këtë rast, po ashtu mirëpritëm 10 anëtarë të rinj të cilëve ua ndamë edhe kartelat e anëtarësisë së VETËVENDOSJE!-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat