Kurti dhe Bahtiri bisedojnë për planet strategjike të Mitrovicës dhe Kosovës

Kosova

Kurti dhe Bahtiri bisedojnë për planet strategjike të Mitrovicës dhe Kosovës

Më: 7 mars 2018 Në ora: 15:22
Albin Kurti dhe Agim Bahtiri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur sot në një takim deputetin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Nëpërmjet një komunikate për media dërguar nga komuna e Mitrovicës bëhet e ditur se lideri i Vetëvendosjes, është shprehur tejet i kënaqur me bashkëpunimin e mirë me kryetarin Bahtiri dhe qeverisjen aktuale në Mitrovicë.

Ai më tutje ka shtuar së arsyeja e vizitës së tij, është të informohet më për së afërmi për projektet  aktuale që po zhvillohen në komunën e Mitrovicës.

Me këtë rast Bahtiri ka njoftuar Kurtin për planet strategjike dhe situatën politike të qytetit, si dhe për projektet që janë të gatshme për t’u zbatuar.

“Projekti për realizimin e shëtitores nga Ura e Ibrit deri tek liqeni Akumulues, projekti i pishinave olimpike në Mitrovicë, projekti i rregullimit të kanalizimit në të dy anët e lumit Ibër, projekti hotelerik mbi gjysmën e lumit Iber, zona industriale në Frashër, subvencionimi i fermerëve, me ç’rast komuna do të paguaj kamatën fermerëve për tri vite”, citohet të ketë thënë  Bahtiri e që njofton zyra për media e komunës së Mitrovicës.    

Siç thuhet në komunikatë gjatë këtij takimi  është biseduar edhe për gjendjen politike të Mitrovicës në të dy krahët e saj, për rivitalizimin e urës dhe rifillimin e punimeve, për zonën e lirë ekonomike ku bizneset do te jenë të liruar nga taksat.

“Të dy palët u pajtuan që është i rëndësishëm zhvillimi ekonomik sepse zhvillimi ekonomik nxit bashkimin e qytetit”, thuhet në komunikatën e komunës.

Bahtiri dhe  Kurti kanë biseduar edhe për tematika ndërkombëtare të cilat i referohen vendit dhe popullit të Kosovës.

Në këtë takim kryetari Bahtiri ka kërkuar nga  Kurti dhe komisionet e tij në nivel qendror që të mbështesin subvencionimin e Kolegjit ICBM nga Mitrovica që të jetë funksional.

“Ky takim i cili zgjati më shumë se dy ore, të dy palët u dakorduan që të  lobojnë në tërheqjen e investitorëve tuaj, me theks të veçantë  investitorëve shqiptarë të cilët veprojnë në diasporë, e të cilët janë shtyllë e zhvillimit ekonomik te Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat