Opozita kërkon shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë Haradinaj për pagat

Kosova

Opozita kërkon shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë Haradinaj për pagat

Më: 1 mars 2018 Në ora: 12:59
Kuvendi i Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar interpelancë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në lidhje me vendimin e tij për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar por edhe për nëpunësit civilë dhe të skemave sociale.

Iniciuesit e kësaj interpelance, kanë thënë se vendimi është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, kërkoi që Qeveria të analizojë menjëherë këtë vendim dhe të sjellë ligjin për pagat.

Hoti: Vendimi bie ndesh me ligjet e aplikueshme.

 “Përveç që bie ndesh me ligjin për financat publike, vendimi i Qeverisë bie ndesh me etikën qeverisëse dhe është konflikt i hapur i interesit. Ligji për parandalimin e konfliktit në nenin 9 thekson, gjatë ushtrimit të funksionit publik zyrtarët e lartë ndalohen të marrin veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i përshtaten interesit të tij personal apo personave të afërt. Pra, shihet qartë se ka konflikt të interesit dhe kjo është dëshmuar me opinionin e AKK-së të datës 29 janar të këtij viti. Vendimi i Qeverisë i tejkalon kompetencat e përcaktuara me rregulloren e punës së Qeverisë e cila në asnjë dispozitë të saj nuk përcakton kompetencat e Qeverisë për rritjen e pagave për kryeministrin dhe kabinetin qeveritar...Nisur nga këto argumente dhe në përputhje me nenin 44 të rregullores së punës së Kuvendit LDK kërkon që Qeveria të anuloj menjëherë vendimin e kundërligjshëm për rritjen e pagave të kabinet it Qeveritar”, tha Hoti.

Propozimet e LDK-së e ka mbështetur edhe Lëvizja Vetëvendosje ku deputetja Albulena Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar të VV-së ka kërkuar që të shfuqizohen të tri vendimet e marra nga Qeveria.

Haxhiu: Mbështesim shfuqizimin e vendimeve për paga

“Ne mbështesim pikat apo propozimet e LDK-së që i ka proceduar në interpelancë për shfuqizim të vendimeve për paga. Po ashtu, edhe për nxjerrjet e ligjit për pagat procedimin e tij dhe kemi propozuar tri pikat shfuqizimin e vendimit pra për të cilin po flasim për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë, heqja e kategorizimit sipas moshës për pagën minimale dhe përshtatja e saj të bëhet në baza vjetore, referuarve të dhënave socio-ekonomike dhe tregut të punës”, tha ajo.

Duke iu përgjigjur këtyre propozimeve, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se vendimi i Qeverisë ka ndodhur konform praktikave të marrjes së vendimeve të tilla.

Derisa, theksoi se 69 zyrtarë në Kosovë marrin pagë më të lartë se ai si kryeministër.

Haradinaj: Kryeministri i 69-ti me pagën me të lartë

“Me duhet t’iu them  juve dhe qytetarëve të vendit se në listën e renditjes së nivelit të pagave, kryeministri i vendit të juaj është numër 69, me vendimin e mëhershëm. Pra, janë 69 zyrtarë tjerë që marrin pagë me të madhe se kryeministri i vendit të juaj. Njëkohësisht numër 69 është edhe kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i atij gjyqësor dhe kryeprokurorit të shtetit. Nëse është në rregull për gjithë juve, edhe për mua vlen, pajtohemi kështu pra”, tha Haradinaj.

Sipas tij në bazë të përgjegjësisë që kanë, atëherë as kryeministri, as ministri as kryetari i KPK-së, as kryeprokurori nuk mund të jenë në vendin e 69-të. Ai theksoi se lënda është në Gjykatën Kushtetuese dhe çfarëdo vendimi të sjellë ai do ta respektojë.

Në foltore për të dhënë shpjegime për pagat ka dal edhe ministri i Financave Bedri Hamza  i cili tha se nuk ka asnjë vend në botë ku deputeti merr dyfishin e pagës së ministrit.

Derisa, ka rikujtuar disa vendime të ish kryeministrave, duke filluar nga ish kryeministri Bajram Rexhepi e deri sot që kanë të bëjnë me pagat e kabinetit qeveritar dhe të tjerëve.

Hamza: Sektori i pagave duhet të rregullohet me ligj

“Sektori i pagave duhet të rregullohet me ligj. Ligjet që lidhen me reformën e Administratës publike duhet të vijnë sa më shpejt në Kuvend dhe të aprovohen. Është një reformë që është obligative  për neve. Nuk jam këtu për të luajtur rolin e avokatit të asnjë vendimi, mirëpo nuk jam këtu ta atakoj asnjë vendim pa bazë. Zonja deputete Haxhiu ma thuaj një vend, ku shumica e vartësve e kanë pagën më të  madhe se të ministrit, po ma thuaj një vend ku deputeti e ka dyfishin e pagës së ministrit. Kështu që merre pak me qetësi”, theksoi Hamza.

Ndërsa këtë vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur hajni.

Kurti: T’ia rrisësh pagën vetës është hajni

“T’ia rrisësh pagën vetës është vjedhje, është hajni. Sepse vjedhja nuk është vjedhje sepse bëhet tinës, por për shkak se është vjedhje. Ka vjedhje ‘aqik’, shembull kjo rritje e pagave. Kjo është veç se pasojë e një fenomeni të hershëm. Edhe me këtë Qeveri, sikur me Qeveri të tjera, ne nuk flasim e nuk bëjmë ekonomi por veç se financa. Kapitali financiar merr pjesë në ndarjen e shkallës mesatare të profitit që tashmë është dhënë dhe jo në formimin e shkallës mesatare. Sipas pikëpamjes sonë socialdemokrate rritja e pagave nuk duhet ta ndjekë thjeshtë rritjen e ekonomike pavarësisht strukturës së rritjes por produktiviteti në ekonomi nga e cila varet struktura e rritjes”, u shpreh Kurti.

Në këtë interpelancë kryeministri ka dal sërish në foltore ku tha se shumica që do të përfitonin nga vendimi janë gjyqtarët dhe prokurorët.

Haradinaj nëse bie vendimi, nuk i dhimbet vetja por ata njerëz.

Haradinaj: Nëse bie vendimi për pagat më dhimbsen gjyqtarët dhe prokurorët

“Qeveritarët dalin një pakicë e vogël në këtë rast, ndërsa shumicë që përfitojnë nga ky vendim janë gjyqtarët dhe prokurorët. Nëse ky vendim bien më dhimbset jo vetja e ministrat por më dhimben gjyqtarët e prokurorët”, tha ai.

Diskutimet lidhur rritjen e pagave po vazhdon ende.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat