Çfarë do të ndodh nesër në Kosovë

Kosova

Çfarë do të ndodh nesër në Kosovë

Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 23:41
Prishtina

Çfarë do të ndodhë më 27 shkurt në Kosovë?

Në mëngjes, në orën 9, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, do ta vizitojë Vitinë, me ç’rast do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e kësaj komune, Sokol Haliti.

Një orë më pas, në Gjilan, Komuna do të organizojë Konferencën Rajonale të Teknologjisë Informative, ku do të marrin pjesë udhëheqësit e departamenteve të IT-ve të Kosovës dhe të Malit të Zi. Pritet të marrë pjesë edhe ministri i Inovacionit i Kosovës, Besim Beqaj.

Në të njëjtën kohë, në Prishtinë, ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe i ngarkuari me punën e ambasadorit të Suedisë në Kosovë, Andres Wollter, do të nënshkruajnë një marrëveshje për vazhdimin e mbështetjes për projektin “PROTAX2 – Tatimi në Tokë në Kosovë”.

Gjithashtu, në orën 10, në Prishtinë, Instituti për Politika Zhvillimore do të organizojë tryezën “Edukimi mbi median dhe informacionin në Kosovë”, me ç’rast do të lëshohet projekti të cilin po e zbaton INDEP-i në partneritet me UNESCO-n, i cili ka për qëllim të nxisë diskutime në nivel nacional rreth gjendjes së edukimit për median dhe informacionin.

Ndërkaq, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) në orën 10, në kryeqytet, do të publikojë raportin për monitorimin e qendrave të ndalimit, qendrave të paraburgimit dhe qendrave korrektuese.

E, në të njëjtën kohë, në Kuvendin e Kosovës, Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal do ta shqyrtojë Raportin e Performancës së Ndërmarrjeve Publike dhe Projektligjin për Masat Mbrojtëse në Importe.

Në orën 11, kryeparlamentari Kadri Veseli do ta presë në takim shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova. Pas takimit, do të ketë adresim për medie.

Gjithashtu, në orën 11, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal do të mbajë mbledhje. Në rend dite është Shqyrtimi në parim i Projektligjit për Masat Mbrojtëse në Importe; Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2015 dhe 2016.

Në orën 11 do të mblidhet edhe një komision tjetër parlamentar – ai për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi do të organizojë tryezën me temën “Rëndësia e organizimit dhe sfidat në edukimin parashkollor”.

Në të njëjtën kohë, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, do ta vizitojë Komunën e Gjilanit, ku me kryetarin Lutfi Haziri do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi.

Dy orë më vonë, Lekaj do ta vizitojë Komunën e Kamenicës, ku me kryetarin Qëndron Kastrati do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi.

Në orën 13, në Kuvendin e Kosovës, Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike do të mbajë mbledhje. Aty do të raportojë ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, lidhur me procesin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Interpol.

Gjithashtu, në orën 13, mbledhje do të mbajë edhe Komisioni parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit. Në rend dite është shqyrtimi i propozimeve për anëtarë të Komisionit Kosovar për Kërkesa Pronësore dhe për anëtarë për Verifikim dhe Vendosje të Pronave.

Në orën 14, mbledhje do të mbajë Kryesia e Kuvendit të Kosovës – takohen shefat e grupeve parlamentare.

Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate, e udhëhequr nga Fatmir Limaj, në orën 18 do të mbajë një tubim në Prishtinë, për ta shënuar katërvjetorin e themelimit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat