Ish-drejtori i akuzuar: Nuk e privilegjova djalin për lokalin

Kosova

Ish-drejtori i akuzuar: Nuk e privilegjova djalin për lokalin

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 11:14
Pamje nga gjykata

Ish-drejtori i Inspektoratit në Prizren Bujar Hasani tha se djali i tij nuk kishte tretman të veçantë për lokalin në Qendrën Historike.

Në gjykimin e ish-drejtorit të Inspektoratit të Prizrenit Bujar Hasani u dha fjala përfundimtare.

Në këtë fjalë Hasani që pretendon se lokali për të cilin akuzohet është pronë e djalit të tij, tha se nuk e trajtoi ndryshe atë nga lokalet tjera në Qendrën Historike të Prizrenit.

“I emëruar si drejtor i Drejtorisë së Inspektoriateve në Komunën e Prizrenit nuk i kam dhënë asnjë tretman, asnjë trajtim apo benificion subjektit juridik ‘Fellas’ që në këtë rast është pronar djali Gurash Hasani në krahasim me lokalet tjera që veprojnë në qendrën historike të Prizrenit”, tha Hasani.

Ai akuzohet për uzurpim të 47 metrave katrorë me anë të një konstruksioni metalik, të cilin sipas aktakuzës duhej ta largonte.

Hasani tha se prokurori ka dështuar të tregojë se me cilin ligj obligohej ta largonte konstruksionin.

“As gjatë fazës hetimore në polici, e as gjatë marrjes në pyetje në prokurori, prokurori i shtetit asnjëherë nuk ka qenë në gjendje që të më saktësojë se cili ligj dhe cili nen më obligon mua që t’i ndërmarrë veprimet në të cilat prokurori pretendon”, tha Hasani.

Ai konstatoi se lokali “Fellas” ka leje për ta ushtruar veprimtarinë e tij.

“Për herë të parë dëgjoj nga ana e prokurorit se uzurpim qenka edhe në qoftë se pajisesh me leje nga një organ kompetent për të cilin subjekti juridik ‘Fellas’ disponon”, tha Hasani duke kërkuar lirimin e tij.

Por prokurori Mehdi Sefa tha se gjatë vitit 2016 ish-drejtori Hasani nuk ka pasur leje për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve.

“Me provat që janë administruar nuk është vërtetuar se këtu i akuzuari Bujar Hasani gjatë vitit 2016 të ketë pasur leje nga Drejtoria për Urbanizim dhe Kadastër bile as të vendosjes së tavolinave dhe të karrikave si kundër ka pas gjatë vitit 2015”, tha prokurori Sefa.

Ai foli edhe për konstruksionin metalik të lokalit “Fellas”.

“47  metra katror, vend i cili është uzurpuar në zonën e parë të mbrojtur të qytetit është e rrethuar me xhama, është zbukuruar me perde, e ka të vendosur kulmin, konstruksionin metalik dhe derën”, tha Sefa.

Prokurori tha se të akuzuarit nuk i është lejuar kurrfarë ndryshimi te ky lokal.

“Krejt kjo është në kundërshtim edhe me vendimin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapsinor. Të akuzuarit nuk i është lejuar kurrfarë ndryshimi apo zgjerimi të lokalit, po ashtu nuk është lejuar kurrfarë ndryshimi në lartësinë e kulmit”, tha Sefa.

Hazër Susuri, avokati i ish-drejtorit Hasani tha se gjatë gjykimit nuk është vërtetuar fajësia e të mbrojturit të tij.

“Teza e mbrojtjes qëndron në atë se as në procedurën e hetimeve në Policinë e Kosovës e as në hetuesi në Prokurorinë Themelore dhe as në shqyrtimin kryesorë para këti trupi gjykues, nuk u vërtetuan faktet dhe provat të cilat thuhen në aktakuzë”, tha avokati Susuri.

Bujar Hasani akuzohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se në Prizren në cilësinë e personit zyrtar drejtor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar Hasani nuk e përmbushi me dashje detyrën e tij zyrtare të përcaktuar me ligj me qëllim të përfitimit të dobisë për vete në atë mënyrë që nuk ndërmerrë masat e duhura në pajtim me autorizimet të tij për largimin aneks-konstruktit metalik të vendosur si vazhdimësi e lokalit “Fellas” i cili gjendet në zonën e mbrojtur të qytetit, pronari i të cilës është vetë Bujar Hasani./Kallxo.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat