Apeli liron nga akuza për korrupsion ish-kryetarin e Parteshit, Dragan Nikoliq

Kosova

Apeli liron nga akuza për korrupsion ish-kryetarin e Parteshit, Dragan Nikoliq

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 15:45
Ilustrim

Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuza për korrupsion, ish-kryetarin e Parteshit, Dragan Nikoliq.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 18 tetor të vitit të kaluar, Dragan Nikoliqin e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Nikoliq ishte dënuar për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ai akuzohej se me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër, në mënyrë të kundërligjshme, e ka shkarkuar të dëmtuarin Bozhidar Periq nga pozita e asistentit administrativ të kryetarit të Kuvendit Komunal në Partesh, duke e dëmtuar atë në shumën prej pesë mijë eurosh.

Gjykata e Apelit vlerëson se në bazë të gjendjes faktike të vërtetuar në shkallë të parë, nuk rezulton se në veprimet e të akuzuarit Nikoliq, përmbushen elementet e veprës penale, në fjalë.

Prandaj, duke pasur parasysh gjendjen faktike të vërtetuar në këtë çështje penale-juridike, Gjykata e Apelit, vlerëson se nuk është e nevojshme procedim i mëtutjeshëm të provave të reja, me qëllim të vërtetimit të fakteve të tjera, apo për shqiptimin e fakteve ekzistuese, andaj, në praninë e fakteve të vërtetuara për aplikimin e drejtë të ligjit penal, kjo gjykatë nxjerrë konkludim tjetër nga ato që ka aprovuar gjykata e shkallës së parë.

Ndryshe, ankesa e Nikoliqit kundër aktgjykimit të shkallës së parë ishte shqyrtuar në Apel më 2 shkurt të këtij viti.

Para anëtarëve të kolegjit të gjykatës së shkallës së dytë, Nikoliq kishte thënë se krejt procesi gjyqësor ndaj tij, ka pasur për qëllim që t’i pamundësohet sërish kandidimi edhe për një mandat tjetër në garën për kryetar të Komunës së Parteshit.

Kurse, mbrojtësi i tij, avokati Rrustem Latifaj, kishte  deklaruar se ka parashtruar ankesë në Apel, për shkak të shkeljes esenciale të procedurës penale, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të shkeljes së Ligjit Penal.

Latifaj, kishte thënë se vendi i punës së stafit mbështetës nuk zgjidhet me konkurs, por me aktemërim, dhe mandati i punës zgjat me atë të kryesuesit apo të kryetarit, më shkarkimin e kryesuesit menjëherë pushon marrëdhënia e punës e stafit mbështetës.

Në ankesën e mbrojtjes, thuhej gjithashtu se Nikoliq është përpjekur dhe munduar që në suaza të kompetencave të tij të bëjë zgjidhje në atë mënyrë që zyrtarisht ka kërkuar të sigurohen mjetet për hyrë në listën e pagave Bozhidar Periq , mirëpo nga institucionet përkatëse në nivel qendror nuk është aprovuar kërkesa e Komunës së Parteshit lidhur me lejimin e vendeve të reja të punës, për arsye se pozita nuk ka qenë e paraparë më herët.

Gjithashtu, thuhet se aktgjykimi është bazuar në prova të kundërligjshme, siç është vendimi i inspektorit të punës në Gjilan.

Kurse, në ankesën e prokurorit Shaban Spahiu, kërkohej që Gjykata e Apelit të ndryshojë aktgjykimin e Themelores në Gjilan dhe t’i shqiptoi Dragan Nikoliqit, dënim me burg efektiv.

Kjo pasi që, prokuroria ka konsideruar se dënimi i shqiptuar me kusht nuk është në propocion me peshën e veprës penale të kryer, rrezikshmërinë shoqërore të saj dhe shkallën e përgjegjësisë penale.

Dragan Nikoliq, akuzohej se më 10 shkurt 2015, në mënyrë të kundërligjshme, me vendimin 54/2015, ka ndërprerë marrëdhënien  e punës të dëmtuarit Bozhidar Periq, në pozitën e asistentit administrativ të Kryetarit të Kuvendit Komunal në Partesh, vendim ky të cilën Inspektorati i Punës ne rajonin e Gjilanit e abrogon dhe i njëjti vërtetohet edhe me vendim të shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, i cili kishte kërkuar kthimin në punë të të dëmtuarit dhe kompensimin e pagave të munguara.

Në aktakuzë, thuhej se pasi është marr vendimi i Inspektoratit të Punës së Regjionit të Gjilanit që të kthehet në vend të punës i dëmtuari, dhe si kryetar komune Nikoliq nuk ka respektuar këtë vendim. E më pas trupi ekzekutiv i Inspektoratit ka gjobitur të njëjtin me gjobë prej 5.000 euro të cilën Nikoliq thuhet se nuk e ka paguar nga mjetet e tij personale, por ka urdhëruar Drejtorinë për Buxhet dhe Financa që inkasimi i gjobës të bëhet nga mjetet e buxhetit të komunës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat