Përmbyllet Gara me Tabela të Zeza

Kosova

Përmbyllet Gara me Tabela të Zeza

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 14:41
Shqiri Bytyqi

MASHT angazhohet për ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë, ka thënë ministri Shqiri Bytyqi në ceremoninë përmbyllëse të Garës me Tabela të Zeza, organizuar nga GIZ dhe PEN gjerman.

Ai ka vlerësuar lart rolin e GIZ dhe PEN gjerman për bashkëpunimin i cili ka për qëllim ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.

“Angazhimi ynë si ministri do të jetë edhe në vazhdimësi për të bashkëpunuar për një arsim më cilësor”, tha Bytyqi.

Edhe Christian Heldt, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me MASHT në ngritjen e cilësisë së arsimit në vend.

Zana Dobruna, eksperte e Arsimit në projektin Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Fillor në organizatën GIZ, tha se bashkëpunimi gjerman për zhvillim mbështet sektorin e arsimit themelor në Kosovë që nga viti 2008 dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit.

Sipas saj, kjo organizatë ka në fokus të veçantë përmirësimin e gjendjes së fëmijëve që kthehen nga migrimi dhe grupet e cenueshme.

Ndryshe, duke filluar nga data 20 shtator deri më 25 tetor, Organizata Deutsche Gesellschaft fuer Internationale Zusammenarbeit (GIZ), në emër të Qeverisë Gjermane ka hapur “Garën për Tabela të Zeza”, të implementuar së bashku me OJQ-në Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN).

Gara në fjalë është pjesë e fushatës për një arsimim më të mirë, e cila aktualisht është duke u zhvilluar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në partneritet me GIZ-in dhe me organizatat e tjera vendore dhe ndërkombëtare.

Qëllimi i kësaj gare ishte inkurajimi i shkollave në shfaqjen e kulturës së tyre gjithëpërfshirëse dhe mikpritëse në shkollë, posaçërisht për fëmijët e kthyer si dhe fëmijët nga radhët e minoriteteve etnike.

Nga gjithsej 252 shkolla që kanë aplikuar, 117 prej tyre na kanë bindur me idetë e tyre kreative dhe gjithëpërfshirëse në këtë projekt. Ato janë shpërblyer me gjithsej 1300 tabela të zeza gjermane si dhe me material ngjyrues për përmirësimin e pamjes së klasave përmes një aktivitetit të përbashkët të nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe komunitetit të gjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat