Përkujtohet greva e minatorëve që lëkundi themelet e Jugosllavisë

Kosova

Përkujtohet greva e minatorëve që lëkundi themelet e Jugosllavisë

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 14:57
Minatorët e Trepçës kanë shënuar sot në Stantërg të Mitrovicës manifestimin tashmë tradicional ‘Java e Minatorëve’

Minatorët e Trepçës kanë shënuar sot në Stantërg të Mitrovicës manifestimin tashmë tradicional ‘Java e Minatorëve’, duke përkujtuar kështu grevën e urisë 29 vite më parë në mbrojtje të Kosovës nga synimet e errëta të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, që asokohe lëkundi themelet e Jugosllavisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se greva e para 29 viteve ka qenë ngjarje me dimensione që kanë lëkundur drejtimin e proceseve të mëtejme. Sipas tij, qeveria ka shpallur këtë vit si vit të Trepçës dhe statusi është në hartim e sipër, Bordi i Trepçës është po ashtu në përgatitje e sipër, andaj punët janë duke shkuar në drejtim që kjo të arrijë rezultat konkret në mënyrë që Trepça të jetë e aftë të operojë vetë.

Haradinaj: Tani kemi para vetes aftësimin e Trepçës si kompani publike

“Sot jemi bashkuar menaxhmenti, sindikata e të gjithë ne, sepse na obligon një datë, një moment që ka bërë kthesë në jetën tonë. Viti 1989, 1300 minatorë, mbyllja e tyre në thellësi të horizonteve të Trepçës, ka qenë ngjarje e madhe, ka qenë ngjarje me dimensione që kanë lëkundur drejtimin e proceseve të mëtejme. Nga ato zhvillime çdo proces më s’ka qenë i njëjtë. Përpjekja me dëshmuar se Kosova është e menaxhueshme dhe mundesh me vepruar me të si të duash, ka dështuar atë ditë. I kanë dal dore minatorët, atë ditë i ka dalë dore Kosova. Ne këtë vit e kemi shpallur vit të Trepçës. Tani kemi para vetes aftësimin e Trepçës si kompani publike me mund me operuar dhe një pjesë e punës mund t’ju them se është duke ndodhur. Statusi i Trepçës është në hartim e sipër, Bordi i Trepçës është në përgatitje e sipër. Pra, jemi me punë që kjo të arrijë rezultat konkret që Trepça me qenë e aftë me operuar vetë dhe njëkohësisht me gjetur edhe partnerë në investim. A ka vështirësi, ka, siç e dini zhvillimet në Trepçë janë lidhur me tema tjera, politike, etnike, do t’i menaxhojmë me kujdes të gjitha”, ka thënë Haradinaj.

Ahmet Tmava, menaxher i Trepçës, theksoi se greva e minatorëve më 1989 u shndërrua në një model të paparë në botë për realizimin e të drejtave kombëtare. Ai përmendi edhe problemet aktuale në këtë Ndërmarrje, duke veçuar mos funksionimin e statusit të Trepçës, si pengesë kryesore për mundësitë e zhvillimit të saj, por edhe të vendit në përgjithësi.

Tmava: Statusi i Ndërmarrjes nuk është funksional

“Kaluan 29 vite nga koha kur ishte e nevojshme që minatorët t’i përgjigjen sfidave të kohës, kur mundimi kishte arritur kulmin e represalieve, përdhosjes së dinjitetit kombëtar dhe minatorët pa hezitim, të prirë nga elita e kohës Aziz Abrashi, Burhan Kavaja, Ibush Jonuzi, Mensur Fejza, Avdi Uka dhe shumë të tjerë, morën fatin në duart e veta, duke mos pyetur për çmimin e sakrificës për të kthyer dinjitetin dhe sendërtimin e idealit kombëtar. U bë një model I paparë në botë në realizimin e të drejtave të tyre kombëtare. Prandaj jemi me fat për një trashëgimi të tillë që do të jetë motiv për gjenerata të tëra për atdhedashuri. Kaluan pothuajse dy dekada pas luftës dhe një dekadë e tërë pas shpalljes së pavarësisë, por ne si Trepçë ende kemi problem mundësitë e zhvillimit të Trepçës dhe të vendit në përgjithësi. Statusi i Ndërmarrjes nuk është funksional”, tha Tmava.

Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, bëri të ditur se Trepça ka filluar të ecën në binarët e duhur, ndërsa së bashku me kryeministrin Haradinaj, për të cilin tha se e ka marr seriozisht çështjen e Trepçës, ky gjigant do të zgjidhë problemet dhe të ecën përpara.

Bahtiri: Trepça nuk pret më

“Rruga ka filluar për ta vënë në binarët kryesorë Trepçën. Këtu u përmend greva, nuk kemi nevojë për grevë, ne do të ecim përpara me kryeministrin i cili e ka marrë shumë seriozisht çështjen e themelimit të Bordit dhe punës së mbarë të Trepçës. I nderuar kryeministër e di që ke vështirësi, sepse ai Bord përcakton që të jenë edhe tre serbë, por ne duhet me ecë përpara me apo pa ta, sepse Trepça nuk pret më”, u shpreh Bahtiri.

Në anën tjetër, njëri nga minatorët grevist, tashmë i pensionuar, Hajrulla, në emër të të gjithë minatorëve, i ka dorëzuar kryeministrit Haradinaj mirënjohje për punën dhe angazhimin e tij rreth Trepçës, me shpresë se më në fund do zgjidhen problemet në këtë Ndërmarrje.

Hajrullahu: Mirënjohje për kryeministrin Haradinaj

“Në emër të atyre minatorëve të cilët nuk janë sot në mesin tonë, por edhe juve të gjithëve, kemi vendosur që sot kryeministrit t’ia dorëzojmë një mirënjohje dhe ishalla e merr fatin në duar dhe më në fund zgjidhet çështja jonë”, tha ai.

Ndryshe, greva e rreth 1300 minatorëve të Trepçës që ndodhi më 1989, sensibilizoi atëbotë të gjithë shqiptarët në Kosovë, ndërsa pati tërbuar regjimin e Beogradit i cili filloi marrjen e hapave represivë ndaj shqiptarëve, e që përfundoi me luftën e UÇK-së dhe mbështetjen e NATO-s, duke ndjekur përfundimisht më 1999 forcat serbe nga Kosova.

Nga sot e deri më 28 shkurt 2018, minatorët e Trepçës do të shënojnë Javën e tyre duke organizuar manifestime dhe veprimtari të ndryshme, ndërsa do të ketë edhe aktivitete kulturore, sportive, homazhe e vizita nëpër familje dëshmorësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat