Qindra vullnetarë i bashkohen Let’s Do It Kosova për pastrimin e vendkalimit kufitar në Elez Han

Kosova

Qindra vullnetarë i bashkohen Let’s Do It Kosova për pastrimin e vendkalimit kufitar në Elez Han

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 18:13
Aksioni

Me rastin e shënimit të festës së 10 vjetorit të Pavarësisë, “Let’s Do It Kosova” e mbështetur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka organizuar sot një aksion pastrimi në pikën kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë, përkatësisht në Han të Elezit.

Aksioni u mbajt në lokacionin ku është vendosur pllaka përkujtimore “Eksodi 99” ne Elez Han, pllakë e vendosur nga Qeveria e Kosovës si shenjë përkujtimi për eksodin e vitit 1999.

Qindra vullnetarë iu kanë bashkuar këtij aksioni të Let’s Do It Kosova nga ku u larguan 100 thasë me mbeturina, ndërsa morën pjesë ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma dhe zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Selami Shkodra.

Përveç pastrimit të kësaj zone, në këtë lokacion u vendosen shporta për hedhjen e mbeturinave si dhe tabela për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë.

Para se të fillonte aksioni i pastrimit, ekipi i Let’s Do It Kosova së bashku me ministren e MMPH-së, Albena Reshitajn dhe vullnetarët u pritën në takim nga kryetari Rufki Suma.

Drejtori i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj fillimisht uroi 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, teksa tregoi se edhe ky aksion po organizohet në vazhdën e aktiviteteve për nder të këtij 10 vjetori.

Hasanaj shtoi se ky aksion është organizuar për të pastruar një lokacion, i cili ka domethënie të madhe për Kosovën, siç është monumenti “Eksodi 99”, i cili është në gjendje jo të mirë.

“Përshtypja e parë që e krijojmë kur shkojmë në një vend është nga kjo që ne shohim, sapo hyjmë në atë vend. Unë jam i bindur se kjo pamje këtu nuk pasqyron kulturën e qytetarëve të Kosovës. Ne jemi njerëz që e duam pastërtinë e i mbajmë shumë mirë pronat private, andaj është e rëndësishme që ne të kuptojmë se po ashtu është e rëndësishme t’i mirëmbajmë edhe pronat publike”, tha Hasanaj.

Ai falënderoi Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, veçanërisht ministren Albena Reshitaj, e cila e ka bërë të mundur realizimin e idesë së Let’s Do It Kosova, për pastrimin e këtij lokacioni.

“Ne jemi zotuar që bashkërisht të organizojmë shumë aktivitete për ta bërë vendin tonë të pastër. Po ashtu, falënderoj edhe kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, i cili i është përgjigjur pozitivisht ftesës për pjesëmarrje në aksion si dhe ka ndihmuar në organizimin e aksionit”, deklaroi tutje Hasanaj.

Në fund, ai shprehu mirënjohje dhe falënderim për të gjitha vullnetarët që u bënë pjesë e aksionit të sotëm.

Në anën tjetër, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj tha se është e përkushtuar në zgjidhjen e qëndrueshme të problemit të ndotjes në Kosovë.

“Kemi filluar me aksionet e pastrimit dhe nuk do të ndalemi deri në pastrimin e Kosovës. Falënderoj Let’s Do It Kosova dhe vullnetarët e shumtë që po marrin pjesë në këtë aksion”, tha ajo.

Ajo shtoi se pastrimi është filluar pikërisht në kufij.

“Nga këtu filluam ta pastrojmë dhe gjelbërojmë Kosovën për ta bërë të pastër siç e duam të gjithë”, përfundoi ajo.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, falënderoi Let’s Do It Kosova për organizimin e aksionit si dhe ministren e MMPH-së, Albena Reshitaj për ndihmë në këtë aksion.

Ai kërkoi që përveç aksioneve, të ketë edhe investime direkte në sistemin e menaxhimit të mbeturinave, teksa shprehu gatishmërinë e tij që të ofrojë ndihmë edhe në të ardhmen për aksione si ky i sotmi.

Aktivitetet për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës do të vazhdojnë nesër, ku do të organizohet aksion pastrimi në pikën kufitare me Serbinë, përkatësisht në Merdare, ku do të marrin pjesë ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Aksioni në Merdare do të nisë në orën 14:00, ndërsa do të angazhohet Kompania e pastrimit “Natyra”.

Vullnetarët e Let’s Do It Kosova do të marrin pjesë edhe në aksionin për mbjelljen e fidanëve tek Kompleksi Përkujtimor në Prekaz, që do të realizohet më 18 shkurt.

Përpos pastrimit të këtyre  lokacioneve, këto aksione do të jenë edhe mesazh i mirë vetëdijesues për qytetarët për të rrisin vëmendjen e tyre për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Po ashtu, duke u bazuar në qarkullimin e madh që bëhet në këto dy vende gjendja e tillë me mbeturina në hyrje të shtetit është një pasqyrë e keqe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat