Nesër vazhdon gjykimi ndaj Azem Sylës në rastin “Toka”

Kosova

Nesër vazhdon gjykimi ndaj Azem Sylës në rastin “Toka”

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 11:51
Gjykimi i Azem Sylës

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, gjatë kësaj jave do të paraqitet sërish në gjykatë, së bashku me 21 persona tjerë në gjykimin që ndërlidhet me tjetërsimin e tokave shtetërore.

Seancat e caktuara të mbahen për këtë javë figurojnë në faqen zyrtare të EULEX-it në Kosovë ku është paraparë që gjatë kësaj jave të mbahen 3 seanca lidhur me këtë rast.

Në këtë rast Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve ndërsa të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.

Po ashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat