Sofja i pretendon goranët e Kosovës si ‘pakicë Bullgare’

Kosova

Sofja i pretendon goranët e Kosovës si ‘pakicë Bullgare’

Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 14:50
Komuniteti goran në Kosovë

Inkurajuar nga njohja e fundit e një pakice bullgare në Shqipëri, Bullgaria shpreson për një rezultat të ngjashëm në Kosovë, megjithëse komuniteti goran pret një gjë të tillë edhe nga Serbia dhe Maqedonia.

Bullgaria po shtyn njohjen zyrtare të një pakice bullgare në Kosovë, jo vetëm si vazhdim i njohjes së fundit të një pakice bullgare në Shqipëri, por si pjesë e “politikës së rregullt shtetërore”, tha të premten për BIRN, Petar Haralampiev, kreu i Agjencisë Shtetërore për bullgarët.

Ai shtoi se të mërkurën, një mbledhje e Komitetit Parlamentar për bullgarët që jetojnë jashtë vendit morën pjesë pjesëtarë të komunitetit goran në Kosovë të cilët pretendojnë identitet bullgar, për të cilin Bullgaria synon të kërkojë statusin e pakicës bullgare etnike në Kosovë.

“Bullgaria ishte midis vendeve të para që e njohën Kosovën si shtet. Ne duam që bullgarët në Kosovë të njihen si pakicë kështu që ne mund t’i ndihmojmë ata të jetojnë më mirë dhe të kenë mundësi më të mira për të mësuar gjuhën e tyre amtare dhe për të ruajtur kulturën e tyre”, tha Haralampiev.

“Bullgaria mund ta ndihmojë Kosovën në integrimin e saj europian. Kosova mund të përfitojë fuqishëm nga mbështetja e Bullgarisë”, shtoi ai.

Më 13 tetor, pas presionit nga politikanët bullgarë dhe eurodeputetët, parlamenti i Shqipërisë miratoi një Ligj për Pakicat Kombëtare duke njohur nëntë pakica, duke përfshirë edhe atë bullgare.

Në këtë mënyrë komunitetit me origjinë bullgare në zonat e Prespës së Vogël, Golo Bardos dhe Gorës iu dhanë të drejta të barabarta me pakicat e tjera në Shqipëri. Krerët bullgarë e përshëndetën atë si një “rivendosje të drejtësisë historike”.

Haralampiev, i cili është anëtar i një partneri të vogël koalicioni në qeverinë bullgare, nacionalistja “Patriotët e Bashkuar”, tha se goranët që jetojnë në Kosovë janë “vëllezër, motra, kushërinj dhe të afërm të gjakut” të bullgarëve etnikë në Shqipëri dhe meritojnë të njëjtat të drejta.

Bazuar në bisedimet me pakicën e pretenduar bullgare në Kosovë, ai pretendoi se mbi 50,000 banorë që jetojnë në këtë zonë, ose që kanë emigruar në qytete më të mëdha ose në Europën Perëndimore, mbajnë identitetin e tyre bullgar por duke u qëndruar besnikë shtetit të Kosovës.

Rajoni i Gorës përbëhet nga nëntë fshatra në Shqipëri, 19 në Kosovë dhe dy në Maqedoni banorët e të cilëve flasin një gjuhë sllave të ngjashme me maqedonishten dhe bullgarishten.

Goranët besohet të kenë lëvizur në këtë zonë midis shekujve XI dhe XIII. Mendohet se ata ishin Bogomil, një sekt i krishterë neo-gnostik që u shfaq në Perandorinë e Parë Bullgare. Fjala “Bogomil” përkthehet si “të dashur për Perëndinë”. Ata më vonë u konvertuan në Islam, por mbajtën gjuhën e tyre sllave.

Komuniteti dygjuhësor e ka quajtur shtëpi rajonin e Gorës për shekuj me radhë. Megjithatë, gjatë dy dekadave të fundit, komuniteti është tunduar nga disa oferta të shtetësive nga shtetet fqinje.

Në fillim të viteve 1990, Serbia pretendoi se goranët ishin pakicë serbe, pjesërisht për shkak se e forconte kërkesën e Serbisë ndaj Kosovës, të cilën pastaj po luftonte për ta mbajtur.

Maqedonia gjithashtu iu ofroi shtetësinë goranëve. Pastaj bullgarët. Shumë goranë shqiptarë pranuan ofertën dhe kërkuan pasaporta bullgare, duke kërkuar një jetë të re në Bashkimin Europian, anëtare e së cilit është edhe Bullgaria.

Vesselka Tonçeva, etnologe në Akademinë Bullgare të Shkencave, e cila ka studiuar gjerësisht minoritetin bullgar në Shqipëri, thotë se termi “minoritet bullgar në Kosovë” është i ri.

“Pamja është e paqartë. Nëse ndjekim lidhjen me njohjen e goranëve si pjesë e një pakice bullgare në Shqipëri dhe transferojmë modelin e njëjtë në Kosovë, ne përballemi me shumë paqartësi”, paralajmëroi ajo.

Ajo pranoi se goranët përfshijnë njerëz që identifikohen si bullgarë, por shtoi se ndikimet e Maqedonisë dhe të Serbisë gjithashtu ekzistonin.

“Në fshatrat gorane, do të dëgjoni se ata janë ‘goranë’ ose ‘fshatarë të tjerë’. Kaq. Identiteti i rajonit të Gorës, i mbyllur midis maleve të Sharrit, Korabit dhe Koritnikut, është ai që mbahet në komunitet”, vuri në dukje ajo.

Megjithatë, kreu i agjencisë për njerëzit që jetojnë jashtë Bullgarisë është i sigurt se pakica bullgare do të njihet “së shpejti”, në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe BE-së. “Kjo nuk është një sekret, do të ndodhë shumë shpejt”, tha ai.

Megjithatë, zëvendës-shefi i Komitetit për Politika për Bullgarët që jetojnë jashtë vendit në parlamentin bullgar, Manoil Manev, i cili vjen nga partia kryesore GERB, dukej më i kujdesshëm në lidhje me njohjen e afërt të pakicës bullgare në Kosovë.

Ai konfirmoi për BIRN se një takim u mbajt me anëtarët e komunitetit të mërkurën, duke e quajtur atë “takim hyrës”, që synonte njohjen e problemeve të njerëzve që pretendojnë identitet bullgar në Kosovë.

Por Manev tha gjithashtu se pretendimet e minoritetit ende nuk janë shqyrtuar nga misioni i Agjencisë Shtetërore të Kosovës dhe shtoi se kërkesa për njohje në Kosovë ishte kryesisht një çështje e vetëiniciativës nga ana e vendasve, të cilët tani duhet të mbledhin numrin e nevojshëm të nënshkrimeve, në përputhje me ligjin e Kosovës./kallxo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat