Kastrati premton se gjatë qeverisjes së tij do të përfshijë qytetarët në vendimmarrje

Kosova

Kastrati premton se gjatë qeverisjes së tij do të përfshijë qytetarët në vendimmarrje

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 10:59
Qëndron Kastrati

Nëse merr drejtimin e Kamenicës, Qëndron Kastrati i Vetëvendosjes premton qeverisje të ndershme, të drejtë dhe qytetarë të përfshirë në vendimmarrje.

Në zgjedhjet e 22 tetorit Kastrati doli kandidati më i votuar për Kamenicën, e këtë rezultat pret që ta rikonfirmojë edhe në balotazhin e 19 nëntorit. Për këtë ai thotë se është i bindur duke u bazuar në dëshirën e qytetarëve të kësaj komune për ndryshim.

Në një intervistë për KP, Kastrati ka thënë se janë ndryshimi për këtë komunë.

Kastrati: Qytetarët e Dardanës janë shumë të interesuar për ndryshim

“Jemi të bindur për këtë, sepse qytetarët e Dardanës janë shumë të interesuar për ndryshim e që normalisht nuk janë të interesuar ta rizgjedhin një kryetar komunë i cili është që nga viti 2000. Paramendoni po flasim për dy dekada dhe pretendon ende të jetë kryetar komune, e Dardana është duke kërkuar diçka të re, është duke kërkuar ndryshimin, është duke kërkuar qeverisje të ndershme dhe të drejtë, qeverisje për qytetarët dhe me qytetarët”, ka thënë ai.

Për balotazhin e 19 nëntorit Kastrati i Vetëvendosjes do të përballet me Shaip Surdullin e LDK-së, e për balotazh të dy kandidatët kanë bërë koalicione. I pari ka bërë koalicion me AAK-në, ndërsa LDK-së i janë bashkuar PDK dhe AKR.

E këtë bashkim të këtyre tri  partive kundër tij, Kastrati e quan koalicion të frikës. Ndërsa, nuk beson se do të ketë përmbysje të rezultatit, pasi sipas tij Kamenica është duke e kërkuar me këmbëngulje ndryshimin.

Kastrati: Frika e tyre sepse nëse ata humbin do të largohen individ nga pozitat e tyre

“Është frika e tyre sepse nëse ata humbin do të largohen individ nga pozitat e tyre. Unë jam i bindur që edhe PDK edhe LDK do të jetë shumë më mirë për ta nëse këta humbin, sepse janë dy individ në krye të këtyre degëve të cilët tash e tutje do të duhej të lironin vendin apo strukturat duhet t’i largojnë ata. Ata gjithmonë kanë qenë bashkë, por vetëm në popull janë munduar me e theksua ndarje dhe inate”, ka thënë Kastrati.

Kastrati i Vetëvendosjes, prioritet ka thënë se do të ketë arsimin, shëndetësinë dhe zhvillimin e Kamenicës.

Ai tha se gjatë katër viteve të ardhshme arsimi do të jetë në shërbim të nxënësve dhe se do të gjitha punësimit në arsim do të bëhen në baza meritore e jo partiake.

Kastrati: Arsimi do të jetë në shërbim të nxënësve

“Gjatë katër viteve të ardhshme nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të ketë më nxënës të uritur në shkolla, arsimi do të jetë në shërbim të nxënësve, do të ketë cilësi në arsim. Nuk do të ketë më nxënës që bartin çanta me pesha kaq të rënda, do të ketë kontrolle sistematike mjekësore, do të ketë transport për nxënësit që kanë larg shkollat apo kalojnë nëpër një rrugë jo të sigurt. Përzgjedhja e drejtorëve do të bëhet me pjesëmarrje të fshatarëve të komunitetit të prindërve, konkurset në arsim, punësimet në arsim nuk do të jenë në baza partiake, por do të jenë vetëm me baza meritore dhe profesionale”, ka thënë ai.

Për katër vitet e ardhshme Kastrati premton se nuk do të ketë mungesë të barnave esenciale e të materialeve shëndetësore, po ashtu, ai ka thënë se stafi shëndetësor do të jetë në shërbim të qytetarëve.

Gjithashtu, ai ka thënë se bazuar në kompetencat që i ka komuna do të angazhohet jashtëzakonisht për uljen e numrit të papunësisë në këtë komunë.

Kastrati: Në katër vitet e ardhshme do të shumëfishohet buxheti për subvencionet

“Gjithashtu, Dardana është 77 përqind papunësia, ne bazuar në kompetencat që i ka komuna do të angazhohemi jashtëzakonisht shumë që të ndihmojmë në këtë aspekt prej dhënies së pronave komunale në shfrytëzim për ata që gjenerojnë vende të reja të punës më shumë e jo kush paguan qira për komunën më shumë, e deri tek shumëfishimi i subvencioneve. Paramendojeni deri tash për pesë fish më pak kanë dhënë subvencione sesa që kanë shpenzuar në dreka zyrtare. Kjo nuk do të ndodh katër vitet e ardhshme, në katër vitet e ardhshme do të shumëfishohet buxheti për subvencionet”, theksoi ai.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Kamenicës ka thanë se çdo vit nga Kamenica shpërngulen 248 persona, e kjo sipas tij ndodh për shkak të mos përkrahjes nga niveli qendror dhe që qeverisja lokale nuk ka ofruar shërbime siç duhet.

Ai premton se gjatë mandatit të tij do të ofrojnë shërbime me të mira në arsim, shëndetësi e administratë në mënyrë që qytetarët të mos largohen nga Kamenica.

Kastrati: Mesatarisht çdo vit 248 persona shpërngulen me letra nga komuna e Dardanës

“Janë dy arsye për këtë, shumë mirë e theksuat nga 60 mijë banor pas luftës  tash janë 30 mijë e 728 banor, mesatarisht çdo vit 248 persona shpërngulen me letra nga komuna e Dardanës. Janë dy arsye, e para është mos përkrahja nga niveli qendror, se subjektet  tjera janë subjekte të regjioneve të caktuara dhe për këtë nuk e kanë përkrahur Anamoravën. Por, edhe e dyta shumë e rëndësishme është qeverisja lokale ka qenë jo e drejtë dhe nuk ka ofruar shërbime ashtu siç duhet. Arsimi është në gjendje shumë të vështirë, shëndetësia është në gjendje shumë të vështirë, administrata është në gjendje shumë të vështirë. Ne si komunë bazuar në kompetencat që i kemi do të ju ofrojmë këto shërbime qytetarëve ashtu siç duhet, qytetarët do ti përfshijmë në vendimmarrje dhe qytetarët do të kenë qasje se si po shpenzohen dhe po menaxhohen paratë e tyre”, ka thënë pretendenti për Kamenicën.

Qëndron Kastrati në zgjedhjet e 22 tetorit ka marrë 5 mijë e 970 vota, ndërsa kundërkandidati i tij nga LDK, Shaip Surdulli ka marrë 5 mijë e 102 vota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat