Agim Veliu mohon mundësinë e ndonjë koalicioni me PDK-në në Podujevë

Kosova

Agim Veliu mohon mundësinë e ndonjë koalicioni me PDK-në në Podujevë

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 23:54
Agim Veliu

Kryetari i Komunës së Podujevës, njëherit kandidat për mandatin e dytë, Agim Veliu i LDK’së ka mohuar mundësinë e ndonjë koalicioni me PDK’në. Veliu në fakt ka reaguar ndaj një lajmi që është publikuar në disa media lokale, se kinse LDK do të bashkohet me PDK’në nëse shkohet në balotazh me Vetëvendosjen. Në këtë reagim thuhet se LDK e Podujevës që nga paslufta ka vetëm një koalicion, e ai është koalicioni me qytetarin, i cili do të vazhdojë edhe pas 22 tetorit.

Ky është reagimi i plotë i Veliut:

Me fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ka nisur edhe fushata e spekulimeve dhe gënjeshtrave mediale.

Pavarësisht faktit se jemi në fushatë zgjedhore, LDK kundërshton fuqishëm format e propagandës dhe dezinfomimit të opinionit.

Praktika e propagandës dhe gënjeshtrave, asnjëherë nuk ka ndikuar në bindjet dhe opinionin llapjan karshi angazhimeve dhe vlerave politike që nga paslufta.

Lajmet e rrejshme, me qëllim të krijimit të hutisë dhe bërjes propagandë në llogari të një kampi politik, burimin e kanë nga portale dhe rrjete sociale të cilat menaxhohen dhe dirigjohen nga selia e kuqe.

Ua rikujtojmë qytetarëve llapjanë se është pikërisht kandidati i VV-së për Podujevën, ai i cili është ndërtuar nga brumi i PDK-së.

LDK në Llap që nga paslufta i ka rezistuar propagandës dhe fushatave të tilla, edhe në kohen kur kandidati i atyre që po shpërndajnë lajme të rrejshme ishte nën komandën e taborit tjetër opozitar.

LDK e Podujevës që nga paslufta ka vetëm një koalicion, e ai është koalicioni me qytetarin, i cili do të vazhdojë edhe pas 22 tetorit, sepse është koalicion i lidhur mbi bazën e parimeve të punës dhe qeverisjes së drejtë me qytetarin dhe për qytetarin.

Llapjanët do ta respektojnë marrëveshjen tonë, sepse është LDK-ja ajo që nuk lejoi asnjëherë Llapi të kontrollohej e menaxhohej nga individë e klane shkatërruese, të cilat janë në shërim dhe pjesë e së keqes së vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat